Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) publikon llogaritë qeveritare për tremujorin e parë 2023, ku gjithsej të hyrat e Qeverisë së Përgjithshme ishin 675.8 milionë euro, që është një rritje e të hyrave, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, që ishin 557.6 milionë euro.
Sipas ASK-së, pjesën më të madhe të të hyrave e përbëjnë: tatimet në produkte (63.7%) të totalit të të hyrave; tatimet rrjedhëse në të ardhura (16.7%); transfertat e tjera aktuale (11.9%); pagesat për prodhimet jo-tregtare (3.7%); ndërsa pjesa e mbetur është shpërndarë në kategori të tjera të të hyrave.
Gjithsej shpenzimet e Qeverisë së Përgjithshme në TM1 2023 ishin 511.8 milionë euro, që është një rritje e shpenzimeve, krahasuar me periudhën e vitit paraprak (TM1 2022), që ishin 459.7 milionë euro.
Pjesën më të madhe të shpenzimeve e përbëjnë: kompensimi i punëtorëve (34.5%); kontributet sociale dhe përfitimet (29.0%); konsumi i ndërmjetëm (12.5%); subvencionet (11.6%); ndërsa pjesa e mbetur e shpenzimeve është shpërndarë në kategori të tjera të shpenzimeve.
/TV Malisheva