Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka folur së fundmi për situatën në veri të vendit me ç’rast ka potencuar se Serbia dhe Kosova janë tanimë në pikën më të afërt për arritjen e një marrëveshjeje.

Kryeministri shqiptar në një intervistë për BBC News ka thënë se situata është provokuar së pari nga serbët, që kanë braktisur institucionet e pastaj nga autoritetet e Kosovës “që këmbëngulën për vendosjen e këtyre kryetarëve në ndërtesa bosh”.

“Ka një situatë shqetësuese në veri të Kosovës, po nuk do ta vija shumë theksin te rreziku. Le të themi se kjo situatë është provokuar së pari nga serbët, të cilët braktisën institucionet, duke krijuar praktikisht një vakum dhe, së dyti, nga autoritetet e Kosovës, që këmbëngulën për vendosjen e këtyre kryetarëve në ndërtesa bosh, ku shumica e popullsisë është kryesisht serbe”.

Rama është shprehur se Kosova dhe Serbia falë Kurtit dhe Vuçiçit janë tanimë në pikën më të afërt për arritjen e një “marrëveshjeje historike”.

Ai ka thënë se udhëheqësit në Komunitetin Politik Europian në Moldavi, kishin bindje të patundur, sidomos presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz se kryeministri i Kosovës dhe presidenti serb duhet të ulen njëherë e mirë, të arrijnë marrëveshjen dhe ta zbatojnë atë.

Rama ka dhënë përgjigje edhe lidhur me agresionin nga pala serbe mbi ushtarët e NATO-s.

Ai ka thënë se është koha për normalizim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ai ka shtuar se Kosova duhet t’i japë Serbisë, Asociacionin dhe të drejtën e kishës ortodokse serbe që të ketë aktivitetin e saj brenda Kosovës dhe që Serbia të heqë dorë dhe të kuptojë që Kosova ka ikur dhe të pranojë njohjen e ndërsjellë.

/TV Malisheva

Share.