Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar për Kosovën dhe ish-Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian, Pieter Feith, tha në një intervistë për Euronews Albania se kryeministri i Kosovës Albin Kurti duhet të dalë me një iniciativë të vetën politike për zgjidhjen e situatës në veri.

Feith u shpreh se tërheqja e përkohshme e policisë së Kosovës nga veriu do të ndihmonte në shtensionimin e situatës.

“Kurti të dalë me një iniciativë të vetën për veriun. Jam i sigurt që bota do ta mbështesë. Të hiqet përkohësisht prania e policisë së Kosovës nga veriu. Kjo do të ndihmojë në uljen e tensionit dhe do të shihet si vullnet i veprimit të mirë nga ana e Kosovë”, tha Feith.

Ai shtoi se gjëja më e rëndësishme në këtë moment është që Kurti të dalë përpara me një veprim të vetin politik.

“Nëse Amerika nuk e mbështet Kosovën do jetë një rrugë shumë e rrezikshme për Kosovën. Kurti duhet të fitojë besimin e SHBA, Berlinit dhe Parisit. Kosova ka nevojë të njihet në të gjithë botë, jemi në një pikë të ulët të besimit si ndaj Kosovës edhe ndaj Serbisë, po Kosova është më e cenueshme. Dhe si një mik i Kosovës jap këshillën miqësore: punoni të rrugën e dialogut, mos ndiqni rrugën e dhunës”, tha zyrtari i lartë.

Feith rekomandoi Qeverinë e Kosovës të jetë më e kujdesshme në kushtet kur aleati më i madh strategjik i Kosovës, SHBA është bërë shumë kritike ndaj saj.

“Doja të vija theksin te fakti që SHBA që gjithmonë kanë qenë aleati më i ngushtë i Kosovës, tani janë bërë shumë kritike dhe kjo është shenjë e keqe. Kjo duhet ta bëjë qeverinë të mendojë lidhur me qasjen, duhet të jetë më e kujdesshme”, tha ai.

/TV Malisheva

Share.