Në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka kundërshtuar ministrin e Financave, Hekuran Murati, se të hyrat tatimore janë dyfishuar në vitin 2022.

Teksa po diskutohej raporti financiar për Buxhetin e Republikës së Kosovës për këtë vit, Hoti i ka kërkuar ministrit Muratit që t’ua tregojë të vërtetën qytetarëve, se rritja është shkak i inflacionit e jo i rritjes së të hyrave. Madje, ia ka parashtruar me ironi pyetjen “Bari hanë këta njerëz këtu a?!”

“Ritmi i rritjes së mbledhjes së të hyrave tatimore është dyfish më i lartë brenda vendit, pra nga ekonomia dhe qarkullimi vendor sesa nga ajo që hyn në kufi”, tha Murati, para komisionit.

Kësaj, Hoti i është përgjigjur duke i thënë se Murati po e llogarit inflacionin sikur të ishte 0 për qind.

“Mos more kështu, po kjo çfarë po thoni ka kuptimin të ketë 0 për qind inflacion, tregoju njerëzve që 50 për qind ka qenë inflacioni në ushqime. Bari hanë këta njerëz këtu a?!”, tha Hoti.

Mirëpo, ministri Murati mohoi se ka zvogëlim të të hyrave, madje tha se Kosova e ka inflacionin më të ultë në rajon.

“Të gjitha vendit e rajonit inflacionin e kanë më të lartë se ne, ky është fakt. Mali i Zi inflacionin e ka 17.5 për qind, Maqedonia e Veriut 14.2 për qind, inflacionin e kanë më të lartë por të hyrat nuk kanë mbërri t’i rrisin fare. Te ne inflacioni i ulët, mirëpo te hyrat janë rritur”, tha Murati.

Për këtë deputeti Hoti ka ironizuar duke thënë se “uji po shteret e ti po zë më shumë peshq”.

Edhe ministri Murati ja ktheu me ironizm deputetit Hoti.

“Ku është teoria e juaj e gabuar, nganjëherë edhe kur shteret uji, zë më shumë peshq. Pali e din dhe ta shpjegon”, ka thënë ai.

/TV Malisheva

Share.