Policia shqiptare ka ushtruar kontrolle të befasishme në liqenin e Komanit në Shqipëri, për rritjen e parametrave të sigurisë së jetës së turistëve dhe vizitorëve që frekuentojnë këtë liqen, duke nisur operacionin “Komani”, bazuar në informacionet e siguruara dhe në ankesa nga turistë dhe vizitorë.
Me këtë rast janë bllokuar pesë varka, ndërsa janë ndëshkuar me nga mbi 90 euro secili nga drejtuesit e tyre.
“Operacioni u zhvillua nga Drejtoria vendore e Policisë Shkodër, Komisariati i Policisë Vau i Dejës, Policia Kufitare e Shkodrës, FNSH Shkodër, në bashkëpunim me Autoritetin Portual të Durrësit dhe bllokoi 5 varka artizanale dhe ndëshkoi me masë administrative nga 10 000 lekë të rinj, secilin nga drejtuesit e tyre”, shkruan ATSh.
Gjithashtu, u bë bllokimi i një mjeti lundrues traget në pronësi të shtetasit Gj. G., pasi gjatë verifikimeve të kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Shkodër, në kalatën e liqenit të Komanit, është konstatuar se ky traget ishte i paregjistruar në organet tatimore, kishte punonjës te paregjistruar, si dhe mungonte leja e drejtimit për guidimin e tij.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Shkodër referuan materialet në Prokurori, për shtetasin Gj. G., 53 vjeç, banues në Shtoj i Ri, Shkodër, për veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve” dhe “Punësimi i paligjshëm”.
Bëhet e ditur se operacioni “Komani”, për kontrollin e mjeteve lundruese, turistike dhe argëtuese, për sigurinë e turistëve dhe vizitorëve në liqenin e Komanit, vijon.
Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër ka apeluar të gjithë operatorët turistikë, poseduesit dhe përdoruesit e mjeteve lundruese, turistike dhe argëtuese, që të pajisjen me dokumentacionin e plotë tatimor për ushtrimin e kësaj veprimtarie tregtare, si dhe që të pajisen me dëshminë e aftësisë (leje guidimi), me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë së jetës së pushuesve dhe vizitorëve.
/TV Malisheva