Qeveria e Kosovës miratoi Projektligjin për fondin sovran dhe formoi grupin punues për themelimin e muzeut për dokumentimin dhe prezantimin e krimeve të ish-Jugosllavisë dhe Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës. Po ashtu, bëri plotësim-ndryshimin e Ligjit për Buxhetin, me çka i hap rrugë zhbllokimit të të hyrave vetanake të komunave, të mbetura përgjatë viteve të kaluara.
Krahas këtyre, kabineti qeveritar i dha dritën e gjelbër traktatit me Danimarkën për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze.
Kryeministri Albin Kurti, tha se përmes miratimit të Projektligjit për fondin sovran po e forcojnë shtetin dhe zhvillimin ekonomik në vend.
“Prej idesë, në koncept. Prej zotimit, në projekt. Fondi Sovran po bëhet.170 shtete të botës, nga rreth 200 sa janë gjithsej, kanë fonde sovrane. Trendi më i lartë i formimit të fondeve sovrane është shënuar në fillim të viteve 2000.Ndërmarrjet tona publike, së bashku me 24 mijë asete tjera do të barten nga qeveria në Fond. Kjo do të rrisë mundësinë e investimeve dhe përmirësojë edhe më shumë menaxhimin e tyre. Kësisoj, Qeverinë po e bëjmë më të vogël por shtetin më të fortë e më të pasur. Fondi Sovran do të na vendosë në hartën e tregjeve botërore financiare. Ai do të jetë bërthama e sovranitetit tonë ekonomik”, tha ai.
Në anën tjetër, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, tha se themelimi i grupit punues për dokumentimin dhe prezantimin e krimeve serbe në Kosovë është një prej nismave kryesore të qeverisë për të adresuar të kaluarën.
“Paraqet edhe një hap të rëndësishëm për dokumentimin e historisë sonë dhe prezantimin e asaj për qytetarët dhe përcjelljen e kësaj trashëgimie dhe kujtese edhe tek brezat e ardhshëm. Koncepti i hartuar nga përfaqësues të institucioneve shtetërore, akademike, profesionale do të jetë bazë për themelimin e muzeut të luftës, i cili do të dokumentojë dhe prezantojë një pjesë të rëndësishëm të historisë së Kosovës. Ky hap është një prej nismave të qeverisë për të adresuar të kaluarën”, deklaroi ai.
Mirëpo për këtë vendim votoi kundër ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, i cili tha se kategorizimi në këtë dokument nuk ka qenë i duhuri, pasi sipas tij ka përgjithësime se i tërë populli serb ka kryer krime në Kosovë.
“Mendoj që kategorizimi nuk ka qenë i duhuri, këtu përkufizohet i tërë vendi si kriminal, unë pajtohem që një pjesë kanë bërë krime, por jo i tërë vendi. Unë propozoj të bëhet një ndryshim, unë do të votoj kundër, sepse nuk më pëlqen gjeneralizimi se e tërë Serbia është kriminel”, tha Rashiq.
Por, ministri Çeku, në konferencën për media të mbajtur pas mbledhjes, tha se ky shqetësim i ministrit Rashiq nuk ishte aq i bazuar.
“Nuk besoj se shqetësimi i tij ishte aq i bazuar sa për të shtyrë në votë kundër. Besoj se nuk ka qenë i mjaftueshëm i informuar paraprakisht në lidhje me këtë propozim-vendim. Mirëpo faza e parë e themelimit të muzeut të luftës është ky koncept. Natyrisht se do të diskutojmë me të gjithë, pasi kam përshtypjen se ministri Rashiq kishte përshtypjen se këtu kishte gjeneralizim duke i fajësuar popujt për krimet që janë kryer. Por vendimi është shumë i qartë që i referohet ish Jugosllavisë dhe Serbisë, pra shtetit dhe aparateve shtetërore të cilat i kanë planifikuar dhe ekzekutuar këto krime në Kosovë”, theksoi ai.
Ndërkaq, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, tregoi shumën që do të zhbllokohet për komunat me rastin e plotësim-ndryshimit të Ligjit për Buxhetin.
“Deri tani janë bartur ose janë në proces të bartjes të hyrat vetanake nga vitit 2022 në vlerë rreth 53 milionë euro, ndërsa me korrigjimin e kësaj dispozite mundësohet bartja edhe 37 milionë euro të tjera”, tha ai.
Ndërsa lidhur me zgjedhjen e një anëtari në bordin e OShP-së, Qeveria i propozoi Kuvendit Xhevdet Ahmetajn dhe Isa Hasanin.
Gjithashtu, mori vendim që Mentor Hyseni të jetë kryesues i Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
Krahas këtyre, kryeministri Kurti njoftoi se me 14 qershor do të mbahet mbledhja e përbashkët e Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë, në qytetin e Gjakovës.
/TV Malisheva