Për Projektligjin për zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës kanë shprehur konsensusin e tyre të gjitha partitë politike në Kuvendin e Kosovës. Sipas përfaqësuesve të këtyre subjekteve politike ky projektligj mundëson përmirësimin e procesit zgjedhor duke e bërë atë më transparent.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi u shpreh se ky projektligj adreson të gjitha rekomandimet e vëzhguesve të BE.

Ai tha se përmes këtij projektligji për zgjedhjet nacionale përmirëson dukshëm procesin zgjedhor.

“Kjo nuk është një reformë zgjedhore tipike thjesht është adresim I vëzhguesve të BE dhe përmirësim të procesit zgjedhor sepse konsiderohet se Kosova nuk ka pas probleme me përfaqësimin e me sistem, por ka pasur problem me administrimin e zgjedhjeve me procesin zgjedhor për të garantuar zgjedhjet të lira e ndershme në Kosovë… Ky komision ka adresuar çdo rekomandim që përmirëson dukshëm procesin zgjedhor këto janë ndryshime ligjore, për disa prej tyre efektet do t’i shohim në zbatim e sipër por që fokusi ka qenë qëllimmirë për ta përmirësuar procesin zgjedhor në Kosovë… Ky ligj adreson shqetësimet që lidhen me listën e votuesve në Kosovë, përmirësimin dhe pastrimin e saj dhe krijimin e një liste të votuesve të saktë, pastaj lehtësinë e pjesëmarrjes së mërgatës në zgjedhje” u shpreh ai.

Ndërsa, deputeti i PDK-së, Elmi Reçica tha se ky projektligj është refleksion i konsensusit dhe kohezionit politik dhe partiak.

Sipas tij, reforma zgjedhore do të garantojë një proces demokratik ligjor dhe transparent.

“Reforma zgjedhore për gjithë qytetarët e Kosovës brenda dhe jashtë saj do të sigurojë standardet më të larta demokratike dhe do të garantojë një proces demokratik ligjor dhe natyrisht transparent, do të mundësojë forcimin e integritetit të procesit zgjedhor duke siguruar të drejtën e shenjtë të secilit pa dallim për të votuar dhe për tu votuar në mënyrë të lirë të barabartë dhe të fshehtë”, u shpreh ai.

E deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami paraqiti mbështetjen e kësaj partie për

projektligjin për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovës.

“LDK e mbështet projektligjin”, tha ajo shkurt.

E shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri tha se ky projektligj do të eliminojë disa probleme teknike që e kanë penguar demokracinë në vend.

Ndërsa, Tahiri ka shprehur mbështetjen e AAK-së për projektligjin për zgjedhjet nacionale.

“Heshtja zgjedhore tani vlen vetëm prej hapjes së kutisë së votimit. E dyta ka të bëjë me votën profesionale ka pas shumë debat se a duhet 10 në listë apo jo a e konfuzion kjo votuesin apo jo a e ndihmon apo jo kjo demokracinë, vendimi është marr mbi një arsyetim të thjeshtë duke qenë se votimi respektivisht numërimi i votave për parti ndodh në klasë në vendvotim dhe mbyllet kutia dhe pastaj të gjitha kutit shkojnë në qendër komunale… Do të anashkalohet një katrahurë e demokracisë së Kosovës që ka pasur të bëjë me tjetërsimin e votës brenda partisë… Ndaj ne e mbështesim këtë ndryshim në ligjin zgjedhor”, u shpreh Tahiri.

/TV Malisheva

Share.