Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi pas votimit të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, është shprehur se kjo është reforma më thelbësore zgjedhore që ka ndodhur në vendin tonë.

Krasniqi, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se ndjehet krenar që PDK i ka prirë këtij procesi.

“Sot, pas një pune tejet të rëndësishme dhe profesionale nga Komisioni për Reformë Zgjedhore, i udhëhequr nga Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, me konsensus të të gjitha partive parlamentare, është miratuar Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës. Pa asnjë mëdyshje, kjo është reforma më thelbësore zgjedhore që ka ndodhur në vendin tonë në mbi një dekadë, e për të cilën jam tejet krenar që PDK e ka udhëhequr si proces”, tha Krasniqi.

Kreu i PDK-së tha se në Ligjin e ri janë adresuar rekomandimet e misioneve vëzhguese të BE-së, të KQZ-së dhe të organizatave të shoqërisë civile.

Ai ka falënderuar për ndihmën dhe mbështetjen e këtij procesi edhe partnerët ndërkombëtarë, Bashkimin Evropian, SHBA-në, Mbretërinë e Bashkuar, OSBE-në.

/TV Malisheva

Share.