Ish-politikani dhe avokati, Azem Vllasi, e ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se i takon gjeneratës së dytë të adhuruesve të stalinizmit dhe enverizmit.

Sipas Vllasit, kjo tregohet më së miri me kryeneçësinë qe kryeministri po e tregon së fundmi lidhur me situatën e krijuar në veri, duke mos i dëgjuar këshillat e faktorit ndërkombëtar, që sipas tij, kanë pasur rol vendimtar në çlirimin dhe shtetbërjen e Kosovës.

“Nëse amerikanët kanë pasur rol vendimtar në çlirimin e Kosovës dhe në shtetbërjen e Kosovës, kur të sugjerojnë diçka që të mos krijohet ndonjë problem pasi vëmendja e tyre është e fokusuar se çfarë po ndodh në Serbi, posaçërisht në lidhje me Ukrainën, duhet të dëgjojmë. Por, Kurti me kryeneçësinë e tij, la përshtypje që nuk i dëgjon as amerikanët, është pjesëtar i gjeneratës së dytë të atyre adhuruesve të Stalinizmit, të Enver Hoxhës dhe të Enverizmit, i cili gjatë karrierës së tij në Shqipëri, e ka dashur më shumë se Zotin, Stalinin. Kurti asaj gjenerate i takon dhe i ka mbetur ai virusi që unë i kundërshtoj edhe amerikanët”, ka thënë ai të enjten në KTV.

Vllasi ka deklaruar se nuk tregohet vendosmëria për ta respektuar Kushtetutën në formën se si është bërë nga Qeveria së fundmi në tri komunat veriore.

Ai ka thënë se respekti ndaj Kushtetutës nuk tregohet me inaugurim të kryetarëve të rinj në këto komuna, duke i rritur tensionet dhe duke i acaruar marrëdhëniet me miqtë ndërkombëtarë.

“Nga 99’ta e këndej, kurrë marrëdhëniet më të acaruara me amerikanët sesa tani nuk i kemi pasur. Nëse ka mbetur të respektohet Kushtetuta në aspektin e inaugurimit të tre kryetarëve të ato komuna, atëherë e mjera Kushtetuta dhe kushtetutshmëria. Nuk është ajo punë kur tregohet vendosmëria jonë për ta respektuar Kushtetutën, por ka qenë më me rëndësi të shtyhej edhe pak dhe të dëgjoheshin këshillat e amerikanëve dhe evropianëve, sepse amerikanët e kanë një kontekst më të gjerë para vetes. Frikësohem se kjo kokëfortësia e Kurtit na ka shkaktuar dëme të pariparueshme për vetveten”, ka thënë ai.

Sipas tij, menaxhimi i shtetit dhe diplomacia në Kosovë aktualisht janë shumë të ndjeshme.

/TV Malisheva

Share.