Pentagoni nuk ka asnjë informacion për të sugjeruar që Kim Jong Un ka humbur kontrollin e programit bërthamor të Koresë së Veriut, tha një zyrtar i lartë ushtarak amerikan sot kur u pyet për thashethemet në lidhje me problemet shëndetësore të udhëheqësit veri-korean.
“Unë filloj me parimin se Kim Jong Un mbetet plotësisht nën kontrollin e forcës bërthamore të Koresë së Veriut dhe forcave të saja të armatosura,” tha ndihmësi i shefit të Shtabit gjenerali John Hayten në një konferencë shtypi.
Ai tha se nuk dinte asgjë më shumë nga ato që shkruajnë mediat dhe se sipas informacioneve të inteligjencës ai nuk kishte asgjë për të konfirmuar apo mohuar asgjë.
Koreja e Veriut shënoi 108-vjetorin e lindjes së themeluesit të vendit Kim Il Sung, gjyshi i udhëheqësit aktual, më 15 prill. Është deri tani data më e rëndësishme politike në Korenë e Veriut, por Kim Jong Un nuk është parë në asnjë foto zyrtare.
Një e përditshme veri-koreane në internet shprehet se udhëheqësi i Koresë së Veriut u operua në prill për probleme kardiovaskulare dhe po shërohet në një vilë në provincën veriore Fjongan.
Shtëpia e Bardhë gjithashtu ka mbetur vigjilente për këtë informacion. Presidenti Donald Trump i uroi fat të mirë Kim Jong Un, duke theksuar se thashethemet për problemet e tij të mundshme shëndetësore nuk ishin konfirmuar.
Autoritetet e Koresë së Jugut fqinje kanë minimizuar informacionin. Një zyrtar i lartë në kushte anonime tha se nuk ishte e vërtetë që Kim Jong Un ishte sëmurë rëndë, njoftoi agjencia e lajmeve Jonhap./TV Malisheva