Në konferencën e sotme për media të Kombëtares së Shqipërisë u paraqit mesfushori i Interit, Kristjan Asllani, i cili foli për dy ndeshjet e radhës ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe, si dhe për finalen e Ligës së Kampionëve, që skuadra e tij e humbi nga Manchester City.

Asllani si duket e ka lënë pas humbjen e hidhur nga City në finalen e Ligës së Kampionëve, ku fokusi i tij tani qëndron te tre pikët ndaj Moldavisë.

Asllani tha se “kuqezinjtë” duhet të kenë posedimin e topit sa më shumë ndaj Moldavisë që ta kontrollojnë ndeshjen, ndërsa u shpreh optimistë për gjasat e Shqipërisë që ta siguroj një vend në finalet e Kampionatit Evropian “Gjermani 2024”.

“Kam qenë brenda një grupi që donte t’i fitonte të gjitha ndeshjet. Kemi fituar dy kupa. Vij këtu dhe dua të jetë një grup që do të fitojë çdo ndeshje, të mendojmë ndeshje për ndeshje dhe të arrijmë te ëndrra jonë, që është Evropiani. Kam marrë pak minuta (me Interin), por të shohësh lojtarët që luajnë para meje, është një endërr vetëm të luash me ta. Kam mësuar shumë dhe kam ardhur këtu me objektivin të marrim tre pikët me Moldavinë. Pastaj shohim ndeshjen tjetër”, tha Asllani.

“Po stërvitemi shumë fort dhe po presim ndeshjen me Moldavinë. Do të bëjmë mirë. Moldavia është një skuadër që do të na presë në fushën e vet. Gjëja kryesore ndaj këtij ekipi është që ta mbajmë ne topin sa më shumë”, tha më tej Asllani.

Për fund, Asllani kishte edhe një mesazh për tifozët e Shqipërisë.

“Është një gjë shumë e bukur të luash këtu në shtëpi, në Tiranë. Shpresoj të vijnë sa më shumë tifozë. Jemi shumë të lumtur. Shpresojmë që ta mbushin stadiumin”, tha Asllani.

Ndeshjen e parë Kombëtarja e Shqipërisë e zhvillon më 17 qershor si vendase kundër Moldavisë, kurse tre ditë më vonë, respektivisht më 20 qershor luan si mysafire me Ishujt Faroe.

/TV Malisheva 

Share.