Deputeti Haki Abazi ka reaguar në lidhje me rastin e fundit që ka ndodhur dje në Kosovë, ku u kidnapuan tre policë të Kosovës nga ata serbë.
Abazi përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Serbia ka aleat Rusinë për të vazhduar në kursin e saj të destabilizimit të Ballkanit me qëllim të vendosjes së hegjemonisë dhe dominancës rajonale dhe shtimin e pazarit për Rusinë kundrejt Evropës dhe SHBA-ve. Sipas tij Kosova duhet që të dalë nga kurthi i Serbisë ku kemi rënë.
“Përbrenda Kosovës nuk po shihet që ka as seriozitet, as gatishmëri por as edhe kapacitet për të kuptuar dhe për te sinkronizuar interesat afatgjata e strategjike të vendit tonë me shtetet dhe institucionet e botës demokratike. Kurti ka zgjedhur rrugën e gabuar për të realizuar të drejtën e Kosovës për veprim institucional”, ka shkruar Abazi.
Deputeti Abazi ka përmendur disa nga prioritetet që duhet të jenë në Kosovë, përfshirë këtu garantimi i integritetit territorial dhe funksionimi i institucioneve vitale përfshirë edhe një diplomaci aktive për të rivendosur kanalet e komunikimit me kryeqytetet e vendeve demokratike
“Kthimi i policëve të kidnapuar, Lirimi i qytetarëve të Kosovës të arrestuar në Serbi, Ndërtimi i konsensusit dhe kohezionit gjithë partiak, Koordinimi i afërt dhe i rregullt me Shqipërinë, Shtendosja e situatës në veri, Kthimi normalitetit në jetën e përditshme, Luftimi i krimit dhe korrupsionit në gjithë territorin e republikës”, ka thënë Abazi.
Tutje, siç thotë ai, dëmi i shkaktuar është shumë i madh tanimë, mirëpo sipas tij kjo nuk do të thotë që duhet thelluar dimensionet e këtij dëmi dhe afatin e rikthimit në procese integruese e bashkërenduese.
“Kosova e zhvilluar dhe e ardhmja saj si pjesë e familjes euroatlantike është më e rëndësishme se çfarëdo arsyetimi dhe diskursi i momentit apo fati i individëve që kanë edhe përgjegjësi të veshur me votë. Me kokë të ftohët duhet reflektuar dhe vepruar në këtë fazë të realitetit që na rrethon, pa humbur fokusin nga e ardhmja dhe qëllimet tona si komb Evropian. Dëmi i shkaktuar është shumë i madh tanimë por kjo nuk do të thotë që duhet thelluar dimensionet e këtij dëmi dhe afatin e rikthimit në procese integruese e bashkërenduese”, përfundon statusi i tij.
/TV Malisheva