Kryeministri me mandat teknik i Malit të Zi, Dritan Abazoviq deklaroi sot se shteti malazez “si vend mik i Serbisë dhe Kosovës” është gati të presë raundin e radhës të dialogut Prishtinë-Beograd.
Pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të Forumit të Prespës që po mbahet në Maqedoninë e Veriut, Abazoviq u shpreh se promovimi i paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal është një nga synimet kryesore të politikës së jashtme të Malit të Zi.
“Interesi ynë i përbashkët është të gjejmë një zgjidhje të pranueshme për të gjitha palët në një bisedë të hapur.”, shkroi ai.
Dje (15 qershor), përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme, Josep Borrell ka deklaruar se javën e ardhshme do të ftojë Kosovën dhe Serbinë në një takim në Bruksel.
Protestuesit serbë po kundërshtojnë hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale në veri. Situata në këto komuna është tensionuar të premten e 26 majit, kur kryetarët e betuar janë detyruar të hyjnë në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë së Kosovës. Të hënën (29 maj) protestuesit me maska e edhe ata pa maska kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve. Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar e djegur vetura të mediave.
Qeveria e Kosovës është kritikuar lidhur me veprimet në veri të vendit.
Të martën (13 qershor), është raportuar se Bashkimi Evropian ka përgatitur masa fillestare, si sanksione kundër Kosovës për shkak të mospërfilljes së kërkesave për hapa të menjëhershëm nga Qeveria e Kosovës për uljen e tensioneve në veri. Sipas këtyre masave, sanksionet do të përfshijnë pezullimin e ftesave për pjesëmarrjen e Kosovës në ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitave dypalëshe nga Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare. Ndërsa, të mërkurën (14 qershor) Bashkimi Evropian ka deklaruar se kanë vendosur të ndërmarrin masa ndaj Kosovës, por që të njëjtat nuk janë sanksione. Sipas zëdhënësit Peter Stano, nuk përjashtohet mundësia për masa të tjera nëse Qeveria e Kosovës nuk i përmbush kërkesat e ndërkombëtarëve.
/TV Malisheva