Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar pasi ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka kërkuar që Perëndimi të ndryshojë strategjinë e tij, të dërgojë diplomatë të tjerë në Ballkan dhe të mbajë një qëndrim më të ashpër karshi Serbisë.

Sipas Çitakut, një deklaratë e tillë nga kryediplomatja kosovare është skandaloze.

Për më tepër, ajo shtoi se veç ministrat e Jashtëm që vinë nga vendet totalitare deklarohen në këtë mënyrë për diplomatët evropianë dhe amerikanë.

“Skandaloze. Vetëm Ministrat e Punëve të Jashtme nga vendet totalitare deklarohen në këtë mënyrë për diplomatët evropian dhe amerikan”, ka shkruar ajo në Facebook.

Në një intervistë të dhënë për gazetën austriake “Der Standard”, Gërvalla ka akuzuar të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, për qëndrime të njëjta me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Këto qëndrime sipas Gërvallës, e inkurajojnë Vuçiqin që ta përshkallëzojë situatën.

“Përshkallëzimi është rezultat i një strategjie të gabuar. I dërguari i BE-së për dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Miroslav Lajçak, shpesh mban qëndrimin e Vuçiqit. Jo vetëm që kjo është vdekjeprurëse për ndërmjetësimin; e inkurajon Vuçiqin të përshkallëzojë. Situata është jashtëzakonisht e rrezikshme, madje ka edhe trupa Ëagner në vend. Një strategji e re nevojitet urgjentisht, duke përfshirë staf të ri, nëse duam të ndalet përshkallëzimi”, është shprehur ajo.

/TV Malisheva

Share.