Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu akuzoi sot Qeverinë e Kosovës për terror të përditshëm ndaj administratës shtetërore, për çka nga foltorja e Kuvendit bëri thirrje që kjo të ndalet.
Në seancën e Kuvendit, Musliu tha se qeveria Kurti propagandën e ka shujtë për mëngjes, drekë e darkë dhe se sipas saj, është mashtruese e inatçore.
“Lufta e pushtetit aktual ndaj secilit që ka guxim, të qëndroj drejt, sot është e paprecedentë. Administrata shtetërore është në terror të përditshëm nga një Qeveri, e cila është e paaftë për të qeverisur. Nga një Qeveri që presionin, diferencimin rajonal dhe politik e ka bazë të veprimtarisë së saj. Nga një Qeveri që për dy vjet e gjysmë qeverisje nuk ka shënuar asnjë sukses. Nga një Qeveri që e ka izoluar vendin në agjendën ndërkombëtare. Nga një Qeveri që propagandën e ka shujtë për mëngjes, drekë e darkë, nga një qeveri inatçore dhe mashtruese. Sot dua t’i bëj thirrje Qeverisë që ta ndalë dhunën dhe presionin ndaj punëtorëve të administratës dhe medieve”, tha Musliu.
Deputetja e PDK-së tha se kryeministri Kurti e ka humbur betejën me të gjithë dhe siç u shpreh ajo, nuk mund ta shpëtojnë as militantëtët dhe as ministrat horror.
“Në rrugën që ka hyrë Albin Kurti duke kaluar nga kriza në krizë për ta fshehur paaftësinë e tij qeverisëse nuk mund ta shpëtojnë as militantët e frustruat të VV qoftë në kabinetin qeveritar qoftë në rrjete sociale e nuk mund ta shpëtojnë as kabineti i ministrave horror, të cilët janë në gjendje të rrinë një këmbë vetëm për t’ia mbajtur zhagun Albin Kurtit dhe që Albin Kurti të jetë i vetëkënaqur me vetën e tij. Fatkeqësisht, Albin Kurti e ka humb betejën me çdo pjesë të shoqërisë në Kosovë. Betejën e vetme Albin Kurti sot e ka me vetveten”, shtoi ajo.
/TV Malisheva