Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani theksoi rëndësinë e reagimit të unifikuar nga komuniteti ndërkombëtar me qëllim të lirimit të menjëhershëm të policëve që po mbahen në Serbi.
Gjatë takimit me një delegacion të ambasadorëve dhe zyrtarëve të lartë nga Finlanda, të cilët po qëndrojnë në një vizitë pune në Kosovë, Osmani shprehu mirënjohjen e thellë të qytetarëve dhe institucioneve për mbështetjen e Finlandës për rrugëtimin evropian të Kosovës.
Ajo theksoi se Kosova e vlerëson lartë partneritetin me Finlandën dhe konfirmoi gatishmërinë e plotë për hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit.
“Presidentja Osmani foli edhe për zhvillimet e fundit në vend, me ç’rast e konfirmoi edhe një herë përkushtimin e Kosovës për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend dhe rajon, në koordinim dhe bashkëpunim edhe me aleatët.”, u bë e ditur nga Presidenca.
Osmani foli edhe për tendendcat e vazhdueshme destabilizuese nga ana e Serbisë dhe vuri theks tek rëndësia e ballafaqimit me drejtësinë të grupeve kriminale të mbështetura nga Serbia e që sulmuan Policinë e Kosovës, pjesëtarët e KFOR-it dhe EULEX-it, gazetarët dhe qytetarët.
“Në takim u diskutua edhe për tre policët e kidnapuar thellë në territorin e Republikës së Kosovës, gjë që Presidentja Osmani e vlerësoi si akt të pastërt të agresionit nga ana e Serbisë dhe theksoi rëndësinë e reagimit të unifikuar nga komuniteti ndërkombëtar me qëllim të lirimit të menjëhershëm të policëve që po mbahen padrejtësisht në Serbi.”, u bë e ditur tutje nga Presidenca.
Të mërkurën (14 qershor) tre zyrtarë kufitarë janë rrëmbyer nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vijën kufitare në veri të Kosovës. Policia ka bërë të ditur se njësia policore ka qenë në detyrë thellë brenda territorit të Kosovës për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale. Tre policëve të rrëmbyer nga forcat serbe të premten (16 qershor) u është shqiptuar masa e paraburgimit.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Gjermania kanë bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës, të arrestuar në veri nga forcat serbe.
/TV Malisheva