Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti theksoi tri pikat që i ka diskutuar të enjten (22 qershor) në Bruksel me përfaqësuesi e lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.
Kurti u shpreh se me Borrellin dhe Lajçakun ka dhënë dëshmi rreth rrëmbimit të tre policëve të Kosovës nga forcat serbe, ka diskutuar për de-përshkallëzimin e situatës, zgjedhjet e reja dhe zbatimin e plotë të marrëveshjes themelore.
Shefi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell ka theksuar se në takimet që i ka pasur të enjten me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiqin, janë pajtuar se duhet të ketë zgjedhje të reja në katër komunat veriore të Kosovës. Borell ka thënë se takimi i së enjtes është fokusuar në shumçka, por në atë se si dhe kur – si të qetësohet situata në terren, si të organizohen zgjedhje të reja dhe si të kthehen në dialog dhe të zbatojnë të gjitha detyrimet e dialogut.
Situata në veri të Kosovës është tensionuar prej 26 majit kur kryetarët e zgjedhur janë detyruar të shkojnë në vendet e tyre të punës nën asistimin e Policisë së Kosovës.
Para ndërtesave komunale janë duke qëndruar protestues serbë, të cilët po kundërshtojnë kryetarët shqiptarë.
Protestuesit në veri, në mesin e tyre edhe të tillë me maska, kanë sulmuar pjesëtarë të Policisë së Kosovës, KFOR-it si dhe gazetarë, të cilët po raportojnë nga pjesa veriore e vendit.
Autoritetet e Kosovës kanë arrestuar disa prej sulmuesve, në mesin e tyre edhe organizatorin e sulmeve ndaj KFOR-it, Millan Millenkoviq-Llune.
Ndërsa, forcat serbe kanë rrëmbyer tre policë të Kosovës, brenda territorit të vendit tonë, të cilët janë duke u mbajtur në Serbi.
/TV Malisheva