Gjatë konferencës për media që është duke e mbajtur në Tiranë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se i ka dërguar një tjetë letër presidentit francez Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman Olaf Scholz.
Ai tha se në letrën e dytë ka theksuar se i ka kërkuar dy liderëve evropianë që plani franko-gjerman të zbatohet me patjetër.
Rama u shpreh se nuk ka asnjë problem me kryeministrin Albin Kurti dhe madje të gjithë mund të habiten sa mirë kalojnë mirëpo shtoi se kanë dallim të mëdha konceptuale.
Sipas tij, nuk është aspak situatë e mirë kur Kurtit i mbyllen të gjitha dyert nga homologët evropianë.
Kryeministri shqiptar u shpreh se skenarët për izolimin e Kosovës dhe Serbisë nuk janë të mira për rajonin dhe se kjo situatë i shkon për shtati vetëm Rusisë.
Rama u shpreh se përplasja mes Kosovës dhe Serbisë do të ishte fatale për gjithçka që është arritur deri tani.
Sipas tij, nga përplasjet e vazhdueshme në Ballkanin Perëndimor nuk përfiton askush, ndërsa shtoi se rajoni nuk është as i Kurtit dhe as i Vuçiqit.
/TV Malisheva