Lideri i “Lëvizjes për mbrojtjen e Kosovës”, Nebojsha Joviq është tërhequr nga politika pasi është kërcënuar me vdekje.
Ai së bashku me familjen e tij ka disa ditë që nuk janë parë më në vendin e tij të lindjes, në veri të Mitrovicës, ndërsa për vendndodhjen e tyre nuk di askush.
Bëhet e ditur se më 14 qershor në orët e vona të natës, 6 persona të armatosur dhe me maska, kanë hyrë me forcë në banesën e Nebojsha Joviq-it që ndodhet në rrugën “Knjaz Milos” në veri të Mitrovicës, që dyshohet se synim kanë pasur vrasjen e tij, mirëpo përveç bashkëshortes dhe dy fëmijëve, ai nuk është gjetur aty.
Sipas këtyre burimeve, atij edhe në të kaluarën i është tërhequr vërejtja disa herë që ta ndërpresë aktivitetin e tij politik, por që ai nuk është ndalur.
“Ky tipi nga Kopaoniku (Millan Radoicic v. j.) i ka dërguar njerëzit e tij nga Serbia për ta likuiduar Joviq-in, por nuk e kanë gjetur në banesë. Bashkëshorten dhe dy fëmijët ia kanë maltretuar dhe ju kanë thënë se sapo ta gjejnë do t’ia mbyllin gojën përgjithmonë. Ai dhe familja e tij tashmë janë larguar dhe e kanë braktisur Kosovën. Askush nuk e di se ku ndodhen’, bënë të ditur burime të sigurta.
Madje, ai nuk ka qasje as në rrjetet sociale, në të cilat ka qenë shumë aktiv, por që me gjasë i ka mbyllur të gjitha.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës në Mitrovicë, Veton Elshani bëri të ditur se policia nuk është në dijeni për rastin.
“Policia nuk ka informacion dhe askush nga qytetarët deri tash nuk ka raportuar një rast të tillë në polici”, u shpreh Elshani.
Ndryshe, Nebojsha Joviq ka qenë ndër bashkëpunëtorët më të ngushtë të politikanit të vrarë serb, Oliver Ivanoviq, ndërsa kohët e fundit në paraqitjet e tij të shumta publike, ka deklaruar se “Lista serbe ka humbur kredibilitetin dhe se nuk mund ta përfaqësojë më popullin serb të Kosovës”.
Po ashtu, ai ka udhëhequr protestën e 13 qershorit në veri të Mitrovicës kundër arrestimit të Millun Milenkoviq – “Llune” nga ana e Policisë së Kosovës, me ç’rast ka brohoritur “tradhti”, “tradhti”, si dhe fjalë të rënda në adresë të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
/TV Malisheva