Zbatimi i politikave të cilat nxisin rritjen dhe stabilitetin ekonomik, krijimi i ofertave që mundësojnë zhvillimin e biznesit vendor dhe tërheqjen e investimeve të huaja, ankesat e bizneseve për çështjen e Maksografit, kërkesa që provajderët të përdorin IP adresat nga Shqipëria, Ligji për Miniera dhe Minerale, problemet me energjinë elektrike, ishin disa nga çështjet që u ngritën në takimin e përfaqësuesve të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë me Zëvendësministrin e Ekonomisë Getoar Mjeku.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë njofton se përfaqësuesit e DHTIK u shprehën të hapur për bashkëpunim profesional me Ministrinë e Ekonomisë me qëllim të shkëmbimit të përvojave dhe imputeve drejtpërdrejt nga bizneset, në mënyrë që të tejkalohen sfidat që hasin operatorët ekonomik gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre.

Gjithashtu përfaqësuesit e DhTIK kërkuan involvim më të shpeshtë në grupe punuese në hartim të politikave.

Siç njofton DhTIK, zëvendësministri Mjeku u shpreh i gatshëm për bashkëpunim reciprok dhe falënderoi DHTIK për çështjet e përcjella, duke vlerësuar që të njëjtat janë përcjell të specifikuara duke ofruar kështu më shumë detaje rreth propozimeve të ngritura.

“Mjeku u shpreh i hapur për bashkëpunim me qëllim të evidentimit të sfidave me të cilat ballafaqohen bizneset dhe ofrimin e kontributit në tejkalimin e tyre”, citohet në komunikatë të ketë thënë Mjeku.

/TV Malisheva

Share.