Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se pacientët e rajonit të Prizrenit më nuk do të kenë nevojë të udhëtojnë në Klinikën e Onkologjisë për të marrë terapinë tabletare onkologjike, ngase nga dita e sotme këtë terapi do të mund ta marrin në Spitalin e Prizrenit.
Me këtë rast, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se është shumë i lumtur që falë një pune intensive nga Ministria e Shëndetësisë, ShSKUK, Klinika e Onkologjisë dhe Spitali i Prizrenit, sot po arrijnë që këtë terapi ta japin në Spitalin e Prizrenit, pa pasur nevojë që pacientët të udhëtojnë në Prishtinë.
“Falë punës intensive kemi arritur që këtë ta jetësojmë disa muaj më herët se që ishte planifikuar, kjo do të jetë lehtësim për qytetarët e rajonit të Prizrenit dhe do ta lehtësojë punën edhe të stafit të Klinikës së Onkologjisë që është i mbingarkuar. Krahas kësaj po investohet në infrastrukturë në Klinikën e Onkologjisë, ku po shtohen kapacitetet ekzistuese me shtretër dhe shërbime shëndetësore”, tha ministri Vitia.
Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi, tha se mbi 100 pacientë nga rajoni i Prizrenit do të marrin terapinë tabletare 1 herë në muaj në Spitalin e Prizrenit, ku një mjek specialist onkolog dhe 1 infermiere nga Klinika e Onkologjisë do të vinë në spital si asistencë.
Ai përmendi investimet që po bëhen nga MSh dhe ShSKUK, e që do të lehtësojnë marrjen e shërbimeve shëndetësore për pacientët, duke shtuar se furnizimi me terapi onkologjike është i kënaqshëm.
/TV Malisheva