Muzeu natyror i Divjakës me koleksionin e tij prej 400 fluturash dhe specie të tjera vijon të tërheqë një numër të lartë vizitorësh vendas e të huaj që prej hapjes së tij dy vjet më parë.
Administratori i guidës turistike Divjakë-Karavasta, si dhe krijuesi i këtij muzeu Altin Hila tha për Atsh-në se “ky muze nga janari deri në fund të qershorit u vizitua nga rreth 4000 vizitorë vendas e të huaj”.
“Ndër vizitorët vendas numrin më të lartë e zënë nxënësit dhe studentët. Por ky park gjithmonë e më shumë po ngjall kureshtjen edhe të shumë biologëve të pasionuar pas natyrës”, tha Hila.
Për krijimin e këtij muzeu Hilës i është dashur mbi 20 vite përkushtim.
“Ky koleksion përveç konservimit, dokumentimit, njohjes së pasurisë së një vendi , synon mbi të gjitha edukimin e brezave te rinj me pasuritë e vendit tonë”, shtoi Hila.
Në këtë muze unik vizitorët shijojnë botën magjike të fluturave, insekteve, molusqeve dhe të disa specieve të rralla.
Hila tregon se “muzeu është edhe dy herë më i madh, por për arsye të vendit, hapësirës nuk mund t’i ekspozojë. Siç janë shpendët, zvarranikët, butakët, merimangat e shumë të tjera. Sepse hapësira është ambient i vogël i shtëpisë së tij”.
Ai i bën thirrje autoriteteve që ta ndihmojnë në përmirësimin dhe zhvillimin më tej të kësaj pasurie sepse, siç shprehet Hila tashmë ky ambient nuk është më as i Altinit, as i Divjakës, por i gjithë Shqipërisë.
Në Divjakë – Karavasta jetojnë 95% e specieve kombëtare. Ky ambient ka vlera kombëtare tashmë duke qenë i vetmi i këtij lloji në Shqipëri, Kosovë e Mal të Zi. Mes specieve të ekspozuara në muze është edhe flutura monarku afrikan (Danaus Krispus), e cila emigron nga Afrika dhe shkon në Divjake, duke u kthyer në atraksion dhe simbol për zonën ashtu si pelikani apo flamingot.
Po ashtu, mes molusqeve specieve detare ndodhet edhe midhja me e madhe e ujërave të bregdetit shqiptar Pina nobilis. Kjo specie tashmë është në rrezik zhdukje në shkallë botërore. Po ashtu dhe shumë të tjera që tashme ndodhen në librin e kuq.
Hila thekson se “Divjaka mbetet vendi magjik atraktiv që mund të vizitohet 365 ditë të vitit. Fluksi i vizitoreve është gjithmonë në rritje dhe i pandalshëm. Divjaka ofron gjithçka që i duhet turistëve natyrë, histori, arkeologji, vrojtim zogjsh, faunë, florë, sporte të ndryshme, peshkim, etj”.
Përveç natyrës, parku kombëtar u ofron qytetarëve edhe “shoqërinë” e specieve të rralla dhe të veçanta që ndodhen në këtë park si pelikani kaçurrel, apo edhe gjitari globalisht i kërcënuar – lundërza (Lutra, lutra), çakalli, dhelpra, baldosa, dallëndyshja e detit, por edhe disa lloje të rralla pishash.
Në parkun kombëtar Divjakë-Karavasta gjenden edhe delta lumenjsh, laguna, duna ranore dhe bimësi e rrallë, çka e bën këtë park një ndër më të rëndësishmit në Mesdhe.
/TV Malisheva