Një zyre ndërkombëtare që do të hetojë Rusinë për pushtimin e saj të Ukrainës është hapur më 3 korrik në Hagë. Ky është hapi i parë drejt një tribunali të mundshëm kundër udhëheqjes në Moskë.
Qendra Ndërkombëtare për Ndjekjen e Krimit të Agresionit (ICPA) ka prokurorë nga Kievi, Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC).
Kjo zyrë do të hetojë dhe do të mbledhë dëshmi, në një lëvizje që po shihet si hap i përkohshëm para krijimit të një tribunali special, që mund të sjellë para drejtësisë zyrtarët e Kremlinit për nisjen e luftës në Ukrainë.
Disa zyrtarët të lartë të ICPA-së do të mbajnë një konferencë për media më vonë gjatë ditës. Në këtë konferencë pritet të flasin prokurori i përgjithshëm ukrainas, Andriy Kostin, prokurori i ICC-së, Karim Khan, ndihmësprokurori i përgjithshëm amerikan, Kenneth Polite, dhe Komisionari i BE-së për Drejtësi, Didier Reynders.
Thirrjet për krijimin e një tribunali special për Ukrainën janë shtuar sepse ICC-ja, gjykata për krime të luftës që po ashtu ka selinë në Hagë, nuk ka mandat për të hetuar krimin e gjerë të agresionit.
ICC-ja po heton krime më specifike të luftës dhe krime kundër njerëzimit në Ukrainë dhe në mars lëshoi një urdhërarrestim për presidentin rus, Vladimir Putin, lidhur me supozimet për dëbimin e fëmijëve.
Kievi po kërkon krijimin e një tribunali special që kur zbuloi qindra trupa pasi trupat ruse u tërhoqën nga qyteti Buça, afër kryeqytetit ukrainas, në prill të vitit 2022.
Mbështetja ndërkombëtare për këtë ide është rritur dhe Komisioni Evropian në shkurt ka njoftuar për krijimin e ICPA-së.
Brukseli ka thënë se kjo qendër ka “synimin kryesor të ndjekë penalisht përgjegjësit e pushtimit” të Ukrainës.
Përfshirja e SHBA-së i ka dhënë më shumë fuqi përpjekjeve për krijimin e një trubunali special, pavarësisht faktit që Uashingtoni ende refuzon që të bëhet pjesë e ICC-së.
/TV Malisheva