Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, priti sot në takim një delegacion nga rajoni më i madh i Gjermanisë, Nordrein Westfalisë, të udhëhequr nga deputeti dhe njëkohësisht Shefi i Grupit Parlamentar të SPD-së në Kuvendin e Qarkut Unna, Hartmut Ganzke.
Kryetari i Kuvendit i shprehu falënderimin e tij delegacionit gjerman për ndihmën e vazhdueshme të Gjermanisë për Kosovën në etapa të ndryshme, që nga vitet ’90-ta të shekullit të kaluar, në fusha të ndryshme.
Kryetari Konjufca konsideroi të rëndësishëm forcimin dhe thellimin e këtij bashkëpunimi, veçanërisht në rrafshin ekonomik.
Udhëheqësi i delegacionit gjerman, Hartmut Ganzke, pasi falënderoi kryetarin Konjufca për pritjen, shprehu gatishmërinë për të vazhdimin e mbështetjes për Kosovën e të bashkëpunimit midis palëve.
Z. Ganzke i dorëzoi kreut të Kuvendit ftesën zyrtare për vizitën në Parlamentin e rajonit të Nordrein Westfalisë.
Gjatë takimit deputeti Ganzke shoqërohej nga Këshilltari për Politikë të Brendshme dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Holger Fiedler, asamblisti në Kuvendin Komunal të Komunës Frondenbeg, Arbër Aliu, si dhe kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu.
/TV Malisheva