Ministrja e Financave dhe Ekonomisë në Shqipëri, Delina Ibrahimaj ka theksuar të martën se ekonomia shqiptare u rrit me 2.72 për qind për tremujorin e parë të vitit 2023.
Në konferencën për media lidhur me treguesit ekonomik, ministrja Ibrahimaj bëri të ditur se rritja ekonomike ishte në mesataren e vendeve të rajonit, por mbi mesataren e vendeve të BE-së.
“Rritja prej 2.72 % e ekonomisë ishte në mesataren e vendeve të rajonit, më e lartë se rritja në Serbi dhe Maqedoninë e Veriut, por më e ulët se në Kosovë dhe Malin e Zi. Në krahasim me vendet e BE-së, rritja ishte ndjeshëm më e lartë, pasi mesatarja e rritjes së ekonomisë në vendet e BE-së ishte 1 %”, theksoi ajo.
Ministrja Ibrahimaj theksoi se rritja ekonomike ishte e shpërndarë në të gjithë sektorët e ekonomisë.
“Ne kemi pasur një rritje me bazë të gjerë. Bujqësia, dhe peshkimi rezultoi me rritje 0.04 % të ndikuar pozitivisht nga aktiviteti i bujqësisë dhe blegtorisë, dhe më pozitivisht nga aktiviteti i peshkimit, i cili u rrit me 11 %. Eksportet bujqësore kanë rezultuar me një rritje të ndjeshme në vlerë dhe vëllim. Për tremujorin e e parë eksportet bujqësore në vëllim shënuan rritje me 7.6 %, ndërsa në vlerë 16.8 %. Performanca pozitive e bujqësisë ka vijuar edhe përgjatë periudhës janar-maj, ku eksportet janë rritur me 15 % në vlerë dhe 14 % në vëllim”, theksoi Ibrahimaj
Nga ana tjetër, ministrja tha se dega e industrisë ka kontribuar me 1.23 për qind, ku kontributin kryesor e ka dhënë dega e energjisë elektrike me një rritje rreth 6 pikë përqindje, ose 38.6 %, e ndikuar nga kushtet e favorshme hidrike që kanë ndikuar prodhimin vendas.
/TV Malisheva