Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka kërkuar zgjedhje të reja në katër komunat në veri të vendit, dhe hartimin e një ekipi profesionistësh, për të ndërtuar draft statusin e ardhshëm të Asocacionit të Komunave me shumice serbe në Kosovë.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku pas takimit të dytë që kishte me shoqërinë civile dhe OJQ-të, për të diskutuar për gjendjen politike në vend, me theks të veçantë relacionet e Kosovës me aleatët, ka theksuar se kishte mbështetjeje të shoqërisë civile për propozimet që vendi të dal sa më shpejtë nga kjo gjendje e rënduar.

Abdixhiku tha se gjatë takimit kanë prezantuar shtatë pika për të cilën vendi mund të arrijë përpara. Sipas tij, pozicioni i Kosovës ndërkombëtarisht është i dëmtuar, jo vetëm për shkak të politikave të gabuara të kryeministrit Kurti me aleatë, por siç tha ai, edhe paaftësisë të jashtëzakonshme të Ministrisë së Punëve të Jashtme.

“Mbi 20 organizata të shoqërisë civile i janë përgjigjur pozitivisht ftesës sonë dhe në takimin që zgjati pothuajse 3 orë folëm hapur për gjendjen e tanishme politike në vend dhe mbi të gjitha për rrugën që duhet dalë përpara. Jam jashtëzakonisht i lumtur, jo vetëm për pjesëmarrjen e organizatave të shoqërisë civile, por edhe për mendimet e hapura përmbajëtsore dhe thelbësore në atë që po shtrojmë tani. Për LDK gjendja e tanishme kërkon shtensionim, kërkon zgjedhje të reja sa më parë të jetë e mundshme në veri të vendit, me qëllim të kthimit të legjitimitetit tek institucionet lokale në katër komunat veriore, dhe zgjedhjet e reja duhet të organizohen nëpërmjet marrëveshjes politike mes VV-së, PDK-së dhe katër kryetareve aktual atje për dorëheqjen e tyre dhe shkuarjen e zgjedhjeve brenda periudhës 45 ditore. Pozicioni i Kosovës ndërkombëtarisht është i dëmtuar, jo vetëm për shkak të politikave të gabuara, të paprecedente të kryeministrit Kurti dhe Qeverisë së Kosovës me aleatët tanë por edhe paaftësisë të jashtëzakonshme të Ministrisë së Punëve të Jashtme”, ka theksuaar Abdixhiku.

Kreu i LDK-së, Abdixhiku tha se Kosova duhet të ndërtojë ekipe profesionistësh që të dërgojë në çdo kryeqendër evropiane për të kërkuar jo vetëm heqjen e dënimeve, por edhe për ta parashtruar hapat e ardhshëm të vendit. Për këtë, Abdixhiku tha se kishte pajtueshmëri të plotë pothuajse me të gjithë për gjendjen alarmante që ka Kosova.

“Kosova duhet të ndërtojë ekipe profesionistësh, diplomatësh me përvojë që të dërgojë në çdo kryeqendër evropiane dhe botërore, në ato kryesoret, për të kërkuar jo vetëm heqjen e dënimeve, masave sanksionuese ndaj Republikës së Kosovës, por edhe për ta parashtruar hapat e ardhshëm të vendit. Po ashtu, prezantuam idenë që Kosova do të ndërtojë një ekip profesionistësh, ekspertesh të rendit kushtetues, drejtës juridike, arsimit, kulturës e zhvillimeve ekonomike për të ndërtuar draft statusin e ardhshëm të Asosacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Po ashtu, kemi prezantuar edhe planin tonë për kërkesa të drejtpërdrejta mbi obligimet që Serbia duhet t’i ketë ndaj Kosovës në marrëveshjet e arritura deri më tani. Dhe ka një pajtueshmëri të plotë me pothuajse të gjithë për gjendje alarmante që ka Kosova”, tha Abdixhiku.

Mes tjerash, Abdixhiku derisa tha se morën mbështetje për propozime nga shoqëritë civile, u shpreh se nuk sheh rrugë përpara me këtë qeveri.

“Tani shoqëria civile, organizata të shoqërisë civile, por edhe nga java e kaluar në takimin që patëm dhanë mbështetjen në këtë propozim, si ide që mund të ofrojë fillimisht shtensionimin dhe më pas zgjedhjen afatgjate të Kosovës, por në thelb të këtij angazhimi është vullneti i mirë, i institucioneve të vendit që të ecin drejt integrimit euroatlantik….Unë nuk shohë rrugë përpara me këtë qeveri prandaj rruga jonë nuk ka të bëjë me bashkëpunim me këto institucione që i kanë sjellë vendit edhe tension edhe përplasje dhe nuk janë të aftë të dalin prej kësaj rruge, unë po flasë për një rrugë të tret i cili kryeministri i Kosovës nuk ka vend”, tha Abdixhiku.

Sipas tij, Kosova duhet të marrë autorësinë mbi draftin, duke shtuar se kjo ka qenë kërkesë e vazhdueshme e institucioneve ndërkombëtare.

Ai shtoi se duhet të krijohet një version i qartë që Kosova është vend i paqes dhe stabilitetit, sidomos në veri të vendit.

“Kosova duhet të marrë autorësinë mbi draftin dhe kjo ka qenë kërkesë e vazhdueshme e institucioneve ndërkombëtare. Pra, tash e një vit të gjitha institucionet ndërkombëtare në veçanti SHBA-të, kanë kërkuar që Kosova, institucionet e vendit të marrin autorësinë, në mënyrë që kjo autorësi të mos i vihet një pale tjetër. Pra, nuk është e vërtetë se nga ne nuk pritet një gjë e tillë, përkundrazi kërkohet nga ne dhe jo vetëm kaq, Kosovës i garantohet që kjo pritje nuk ka të bëjë me rrenim kushtetues ose me dalje prej Kornizës Kushtetuese. Ne duhet të ndihemi me veten më të sigurtë por edhe duhet të shtrojmë një version të qartë se Kosova është një vend i paqes, stabilitetit, jo vetëm në vend, por sidomos në veri të vendit dhe në rajon”, tha mes tjerash Abdixhiku.

/TV Malisheva

Share.