Në zgjedhjet e jashtëzakonshme që pritet të mbahen më 6 tetor, partia e Shpend Ahmetit do të garojë se bashku me atë të Ramush Haradinajt. Këto dy parti qeverisin bashkë edhe në kryeqytet. Nëse vota për partinë e Ahmetit do të jetë pasqyra e qeverisjes në kryeqytet, atëherë Ahmeti pritet të mos i ketë punët mirë.

Në vitin e kaluar Asambleja e Prishtinës e votoi buxhetin për vitin 2019, të cilin e kishte hartuar ekzekutivi komunal. Projektet kanë mbetur ende në letër, pasi autoritete komunale nën udhëheqjen e Shpend Ahmetit nuk po dinë çfarë të bëjnë me to. Prej totalit të buxhetit për vitin 2019 në kategorinë e investimeve kapitale, Komuna e Prishtinës për tetë muaj, 1 janar -31 gusht ka shpenzuar vetëm 16. 64 për qind. Pra, nga 48,358,014.75 euro të investimeve kapitale për këta tetë muaj komuna arriti të harxhojë veç 8,048,983.08 euro, shkruan lajmi.net

Këto shifra kanë dalë nga raporti për muajin gusht 2019 i Komunës së Prishtinës, i hartuar nga Drejtoria e Financave.

Totali i shpenzimeve nga të gjitha kategoritë e buxhetit kap vlerën 47,755,801.05 euro ose 42.97 për qind e totalit të përgjithshëm.

Qëndrim Arifi – Hulumtues në Organizatën “INPO’, e cila e monitoron Komunën e Prishtinës, mendon që problemi i Komunës për mos shpenzimin e parave qëndron tek dy fusha. Ai thotë se Komuna e Prishtinës nuk po mund të bëjë planifikim të qëndrueshme, dhe menaxhim të projekteve konform ligjit

“E parë është se ka shumë probleme pronësore tek projektet kapitale. Komuna fillimisht e bën projektin, pastaj hasë në probleme pronësore, gjë që do të duhej të ishte e kundërta. Dhe pas problemeve pronore po ndalen punimet dhe paratë po mbesin të pa shfrytëzuara. Mandej, shpronësimet po dalin shumë të kushtueshme. E dyta është – keqmenaxhimi, për shakë se menaxherët e kontratave nuk po aplikojnë masa ndëshkuese ndajë kompanive që po zvarrisin punët, e nga zvarritja e punesë vonohet edhe pagesat për situacione. Shikojeni rastin e shkallëve në Dragodan, flet më së miri për një keqmenaxhim. Zyrtarët komunal nuk dalin shpesh në vend punishte për tu bërë presion ndërtuesve, dhe pastaj vihet deri të kjo situatë”, tha Arifi për lajmi.net.

Disa nga projektet më madhore të planifikuara në buxhetin e vitit 2019 e që nuk kanë filluar të realizohen janë:

Implementim i i planit të mobilitetit, me vlerë 3 milionë euro; Tregu i ri i qytetit, 1.5 milionë euro; Rikonstruimi i rrugës “Agim Ramadani”, 750,000.0 euro; Ndërtimi i Çerdheve, 600 mijë euro; Kamerat e trafikut, 250 mijë euro; Ndërtimi i Rrethit përballë Stacionit të Autobusëve, lidhja rrugore Dardani-Emshir, 390 mijë euro; Vazhdimi i rrugës B, 689 mijë euro; Kontratat Kornize për Dysheme, Instalime Elektrike, Fasada dhe Dritare, 600 mijë euro; Ndërtimi i bibliotekës së re( faza e I ), 300 mijë euro; Muzeume, projektim dhe realizim i fazës së parë, 3 milionë euro; Ndërtimi i QMF Veternik, 200 mijë euro; Qendra për autizem, 250 mijë euro.

Në vitin e kaluar, komuna ka pasur 25 milionë euro tepricë, dhe sipas ecjes së punëve aktuale kjo shifër pritet të përsëritet. /Lajmi.net/

Share.