Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka marrë pjesë në verifikimin e peshoreve shumëtonëshe në mullirin “Albatros”. Ajo tha se këto verifikime janë të rregullta dhe se peshoret janë të verifikuara sipas ligjeve në fuqi të Agjencisë së Metrologjisë dhe direktivave të Bashkimit Evropian. Po ashtu, bëri të ditur se ditëve te fundit kanë inspektuar çmimet e naftës, për çka theksoi se shpejt do të merret vendim.
Ministrja Rozeta Hajdari tha se është verifikim i rregullt dhe është detyrim njëvjeçar me qëllim të verifikimit të të gjitha peshoreve.
Ajo bashkë me kryeshefen e Agjencisë së Meteorologjisë dhe me trupat verifikues, kanë realizuar procesin e verifikimit të peshoreve.
Hajdari: Synojmë largimin e dyshimeve të bujqve
“Jemi këtu për të verifikuar, për të parë procesin e verifikimit të peshoreve dhe për të shtuar besimin e qytetarëve tanë, konsumatorëve tanë, por edhe të bujqve tanë që peshoret janë të verifikuara sipas ligjeve në fuqi të Agjencisë së Metrologjisë, por edhe sipas direktivave të Bashkimit Evropian dhe nëse ndonjë fermer apo bujk ka ndonjë dyshim, mund të kërkojë edhe direkt përmes Agjencisë së Metrologjisë, përmes ankesës te mbrojtja e konsumatorit për tu verifikuar si verifikim i jashtëzakonshëm, nëse ka ndonjë dyshim”, tha ajo.
Ajo tha se gjatë verifikimit të sotëm, u vërtetua se peshoret janë të verifikuara.
Edhe kryeshefja e Agjencisë së Metrologjisë, Sebahate Bushrani theksoi se këto verifikime të peshoreve janë të rregullta.
Bushrani: I kemi 100 peshore në të gjithë Kosovën, të gjitha të verifikuara
“I kemi mbi 100 peshore të cilat janë në gjithë Kosovën dhe të gjitha janë të verifikuara për të siguruar mbrojtjen e konsumatorëve, të bujqve dhe të kemi një cilësi sa më të mirë të produkteve të cilat na dalin nga mullinjtë e Kosovës… Deri më tani nuk kemi pranuar ankesa të llojit të tillë, por kemi ankesa të llojeve të ndryshme por të tillë jo, sepse janë shumë të rregullt në kërkesat e tyre për verifikimin e peshoreve”, deklaroi ajo.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë shtoi se Ligji për rregullimin e produkteve bazë është dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga opozita.
Hajdari: Duhet të shtojmë inspetkimet për çmimet e produkteve bazë
“Kjo po pret, prandaj ne duhet tash të shtojmë inspektimet. Kemi numrin e inspektorëve që është shpallur, është thirrja për 27 inspektorë shtesë që do të inspektojnë më shumë, por është me rëndësi që të rregullohen çmimet dhe të largohet inflacioni dhe manipulimi. Inflacionin nuk mund ta rregullojmë, por mund ta menaxhojmë dhe ta rregullojmë gjithmonë marzhën kur ka spekulime dhe manipulime të larta. Jam e vetëdijshme që tregtarët tanë, jo të gjithë, janë fer. Luajnë një lojë të rregullt në treg dhe jo konkurrencë të shëndoshë, prandaj me rritjen e inspektimeve qoftë në produktet e naftës, produktet e grurit, në bukën, vezën, mishin, produktet tjera bazë jemi duke shtuar inspektimet”, shtoi Hajdari.
Tutje, theksoi se ditëve te fundit janë duke inspektuar më shumë çmimet e naftës, për çka tha se ka marrë informatat që ka lëvizje.
Hajdari: Kemi shtuar inspektimet për çmimet e naftës
“Jo më larg se javën e kaluar kemi filluar dhe shtuar inspektimet duke parë që ka një lëvizje në treg. Ne nuk mund të marrim ndonjë vendim për caktimin e marzhës nëse nuk kemi arsyeshmëri në treg. Në rast kur vërtetohet nga inspektimet në treg qe ka lëvizje të marzhës mbi 12 centë për shitje me pakicë dhe mbi dy cent për shitje me shumicë, atëhetë kemi lirinë e vendimmarrjes për të vendosur marzhën tregtare dy cent në 12 cent. Jo më larg se dje kemi pasur takimet pas katër ditë inspektime në shitjen me pakicë dhe me shumicë dhe do të vijmë në vendimmarrje së shpejti, sipas të gjeturave nga tregu”, shtoi ajo.
/TV Malisheva