Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj deklaroi sot se ikja nga përgjegjësia e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti ka sjellur deri te sanksionimi i Kosovës.
Këto komente kreu i AAK-së i bëri në tryezën që ky grup parlamentar i zhvilloi me përfaqësues të shoqërisë civil dhe medieve për të diskutuar për situatën politike në vend.
Teksa listoi disa nga veprimet e AAK-së për të mos ardhur deri te situata aktuale politike në vend, Haradinaj u shpreh se ikja nga marrëveshja është një thikë pas shpine.
“Ajo që ka ndodhur së fundmi ne e shohim si ikje nga përgjegjësia e qeverisë sonë edhe kryetarit të qeverisë, ikje nga përgjegjësia, ikje nga marrëveshje që është një lloj thike pas shpine iu siguroj në këto procese dhe është një rikthim në metoda që i kemi parë bashkë që na sollën deri tek sanksionet. Ne kemi mbajt qëndrime ndihmëse për të mos ardhur në këto situata edhe kur kemi propozuar që mos të mbahen zgjedhjet në veri. Ne kemi shkuar edhe më larg nga frika që çështja që me u krijua një klishe për Kosovën si i keqi mund të jetë proces afatgjatë pastaj kemi propozuar mocionin në parlament. Nuk ishte mocioni mënyra më e shpejt për të ardhur tek pushteti, mocioni ishte mënyra më e shpejt me dhënë një mesazh prej Kosovës mos u nxitoni më tuje në përshkallëzim të goditjeve për Kosovën apo sanksionet, sepse Kosova mund ta gjejë rrugën me u kthye në normalitetin e brendshëm dhe me iu kthye normalizimit me Serbinë e tutje”, tha ai.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj e konsideroi këtë takim si të dobishëm për sensibilizim të brendshëm për të dalë nga gjendja politike.
“Është vështirë me lokalizuar gjetjen e zgjidhjes vetëm në të zgjedhurit e popullit, për shkak se të zgjedhurit e popullit janë zgjedh në një moment të caktuar e kanë një mandat dhe një përgjegjësi, por shoqëritë evaluojnë dhe shumica e atyre që njëherë janë zgjedhur mund ta mbajnë peng një shoqëri në proces nëse nuk ka sensibilizim nëse nuk ka ta quaj përballje në shoqëri.. edhe kjo që po ndodh me ne janë ndihmesë për sensibilizim pra nuk do të dalim nga gjendja e sotme pa një konsolidim të ndërsjellë pa rolin e secilit ”, theksoi ai.
Ramush Haradinaj gjatë këtij takimi theksoi se si parti e kanë mbështetur dekodimin për planin franko-gjerman, pasi e shohin si mundësi të vetme për t’u larguar Kosova nga harta e pasigurisë dhe krizave.
“Arritjen e marrëveshjes ajo që ndodhi në Bruksel e Ohër e kemi kuptuar si një mundësi që me fillua marrëdhënie kontraktuale me NATO me u heq nga harta e pasigurisë me u përcaktua për drejtimin tonë të mëtejmë që do të kishte efekte të brendshme të mira edhe në zhvillimin ekonomik dhe unë e shoh marrëdhëniet kontraktuale me NATO si partneritet për paqe për NATO si fillim e shoh edhe si mënyrë me i zgjedh sfidat tona të rendit dhe ligjit në veri, por jo vetëm në veri… Unë besoj që marrëveshja ajo që njihet si plani franko-gjerman i shtyrë prej Amerikanëve për ne është një mundësi me u heq nga harta e pasigurisë, krizave dhe tensioneve”, theksoi ai.
E shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri u shpreh se përmes kësaj tryeze synojnë të tregojnë disa pozicione të kësaj partie për rrugën përpara.
“Qëllimi i kësaj tryeze është që t’u dëgjojmë juve, presim prej juve me qenë kritik ashtu siç keni qenë gjithë edhe në kohën kur kemi qenë ne në qeveri, por edhe në kohën kur kemi qenë në opozitë ata kritika na kanë ndihmuar me u përmirësua. Dëshirojmë me i dhënë disa pozicione tona se si ne e mendojmë rrugën përpara”, theksoi ai.
Diskutimet e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës me përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe medieve u zhvillua i mbyllur për medie dhe më pas u mbajt edhe konferencë për medie.
Pas situatës politike në vend, AAK ka zhvilluar me një takim edhe me sindikatat për Ligjin e Pagave.
/TV Malisheva