Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi sot se nevojitet bashkëbisedim dhe konstruktivitet për t’u gjetur zgjidhja me veteranët e luftës.
Ai u bëri thirrje që një gjë e tillë të ndodhë dhe jo të ketë kërcënime e sulme jashtë e brenda Kuvendit të Kosovës.
Kështu u shpreh ai, teksa komentoi protestën e paralajmëruar nga OVL-UÇK për datën 26 të këtij muaji.
“Në veçanti unë ju bëjë thirrje të gjithëve që këto t’i zgjedhim me gjuhën e fakteve dhe të dialogut, jo me kërcënime apo me sulme jashtë kuvendit apo brenda tij. Nuk ka një Qeveri e Republikës se Kosovës, e cila nuk ka shfaqur gatishmërinë, vullnetin, interesimin, për njohjen e mirënjohjen për falenderimin e pafundëm nga kategoritë e dala nga lufta, por duke mos e braktisur të vërtetën. Duke mos partizuar e politizuar. Qartazi zgjidhja mund të gjendet, nevojitet konstruktivitet, nevojitet bashkëbisedim. Seancat e kuvendit janë seanca për të përfaqësuesit e popullit dhe populli ka folur me datën 14 shkurt 2021, do të flas sërish në zgjedhjet e ardhshme”, deklaroi Kurti.
Kryeministri Kurti tha se duhet të trajtohet çështja e beneficioneve për veteranët e luftës, për të cilat janë të interesuar që të jenë sa më të larta.
“Paralelisht me këtë të kemi edhe një spastrim te listave, sepse nuk mund të lejojmë deformimin e rrëfimit tonë të lavdishëm të luftës çlirimtare duke konsideruar që ka pasur afër 60 mijë veteranë të UÇK-së. Qartazi kanë qenë edhe më shumë se 60 mijë, shumë më shumë se 60 mijë pjesëmarrës në luftën çlirimtare, por përafërsisht ka një lloj trefishimi te veteranëve dhe na duhet ta mbrojmë të vërtetën për luftën çlirimtare, por gjithashtu të mbrojmë veteranët e vërtetë nga ata, të cilët nuk ishin të tillë”, shtoi Kurti.
Shefi i ekzekuvit, Albin Kurti bashkë me kryetarin e Gjilanit, Alban Hyseni dhe zëvendesministrin e Mjedisit, Hysen Durmishi morën pjesë në punimet, që po bëhen në autostradën Prishtinë-Gjilan, ku vizituan tri llotet.
/TV Malisheva