Kryeministri Albin Kurti deklaroi se autostrada Prishtinë-Gjilan po bëhet.
Shefi i ekzekutivit bashkë me kryetarin e Gjilanit, Alban Hyseni dhe zëvendësministrin e Mjedisit, Hysen Durmishi kanë vizituar punimet që po bëhen në këtë autostradë, ku vizituan tri lotet. Aty u tha se punimet do të përfundojnë gjatë këtij viti.
Kurti theksoi se me këtë autostradë do të zvogëlohen distancat ndërmjet komunave të Anamarovës dhe pjesës tjetër të Kosovës.
“Nga ajo çfarë pamë mund të themi qartë dhe sigurt që Prishtina po lidhet me Gjilanin me autostradë, pra autostrada Prishtinë-Gjilan po bëhet. I vizituam tri lotet, lotin e parë me gjatësi mbi 4,8 kilometra, lotin e dytë mbi 2,5 kilometra dhe lotin e tretë 2.2 kilometra. Me ç’rast e pamë edhe punën që po bëhet për nënkalimin ndërmjet lotit të dytë dhe lotit të tretë që në këtë mënyrë do të mundësojë lidhjen e fshatrave sikurse Smallusha, që të ketë gjithashtu qasje. Tash gjithsej kjo pjesë do të ketë gjatësinë prej 22,8 kilometra prej Banullës në Lipjan, tek Bresalci në Gjilan”, deklaroi Kurti.
Kurti u zotua se do u kushtohen rëndësi punimeve cilësore dhe ndriçimit dhe sinjalistikës.
Zëvendësministri i Mjedisit, Hysen Durmishi tha se po punohet me intensitet të lartë për përfundimin e punimeve në këtë autostradë.
“Ne jemi duke bërë përpjekje maksimale që punimet të përfundojnë gjatë këtij viti sepse buxhetin e kemi ndarë për këtë dhe vizitat shume të shpeshta qe po i bëjmë këtu është qe për t’i inkurajuar edhe operatorër ekonomikë dhe punëtorët këtu që të punojnë me përkushtim dhe të përfundohet sa më shpejt. Sepse gjithashtu jemi duke përgatitur gjithë dokumentacionin në mënyrë që vitin e ardhshëm ta fillojmë vazhdimin e kësaj autostrade nga Bresalci deri te Dheu i Bardhë, deri ne kufi. Qe na ofron me korridorin e dhjetë me një distancë vetëm 10 kilometra”, u shpreh ai.
Më tej, Durmishi shtoi se këtë vit do të bëhet projekti për lidhjen e gjitha autostradave.
Edhe kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni theksoi se rajoni i Anamoravës është duke marrë vëmendjen e duhur me projekte qeveritare pas harresës nga qeveritë e kaluara.
“Kjo autostradë ka rëndësi të veçantë jo vetëm për Anamoravën, por edhe për gjithë vendin tonë. Për shkak të lidhjes me korridoret ndërkombëtare, por Anamorava e Gjilani në një harresë të qeverisjeve të kaluara, në kuptimin e angazhimit dhe përkushtimit ndaj qytetit, por jo vetëm ndaj Gjilanit por edhe Anamoravës përgjithësisht. Tashmë kanë marrë vëmendjen e duhur dhe projekti është në rrugë të mirë që të përfundojë gjatë këtij viti”, tha ai.
/TV Malisheva