Oda Ekonomike e Kosovës në një konferencë për media për hapat e ardhshëm në menaxhimin e situatës ekonomike, pas përhapjes së pandemisë COVID-19, ka propozuar që në javën e ardhshme Prishtina të largohet nga karantina, të lejohet puna në sektorë që kanë rrezikshmëri të ulët, siç janë ndërtimtaria dhe prodhimi. Po ashtu të futen mjetet në qarkullim dhe vazhdohen lehtësirat fiskale.
Kryetari i OEK, Berat Rukiqi ka folur për hapjen e rrugës drejt ekonomisë, i cili tha se gjatë muajit maj të mundësohet fillimi punës në tërë zinxhirin e shitjes me pakicë, përkatësisht në objekte 800 metra katror.
Ai po ashtu tha se duhet të mundësohet fillimi i punës në tërë sektorin e shërbimeve, duke filluar nga java e tretë majit në tërë Kosovën, si dhe të hartohet plani operacional për hapjen e graduale të HORECA dhe transportit.
“Deri më 10 qershor të jetë e gatshme korniza e rimëkëmbjes ekonomike e bazuar në analiza për sektorët më të dëmtuar. Në total fondi të jetë 550 deri 600 milionë euro për vitin 2020 dhe 2021 për të pasur një mbështetje ose rimëkëmbje ekonomike”, tha Rukiqi, duke treguar edhe burimet 200 milionë euro nga FMN, BB, 70 milionë nga BERZh, 200 milionë nga buxheti dhe bilanci bankar dhe 100 milionë euro nga borxhi publik./ Tv Malisheva