Në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës janë votuar disa pika të papërfunduara nga seancat e kaluara. Por, njëra projekt-rezolutë e propozua nga LDK u hoq nga rendi i ditës, ndërsa ajo e AAK-së nuk mori votat e mjaftueshme.

E në votimin e pikave që u miratuan nuk mori pjesë Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Në Kuvendin e Kosovës me 64 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim është votuar në lexim të dytë plotësim-ndryshimi i Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje. Ky projektligj u përkrah edhe nga LDK.

Kurse, 62 deputetë ia dhanë mbështetjen rekomandimeve lidhur me raportin e auditimit të performancës menaxhimi i projektit “Bashkimi i qytetit të Ferizajt”.

Kuvendi i Kosovës në seancën e sotme plenare ka votuar Hamit Bashollin dhe Selvete Gagicën anëtarë të Bordit Mbikëqyrës të Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës.

Këta dy emra janë propozuara nga Qeveria e Kosovës, dhe në Parlamentin e Kosovës morën 63 vota.

Mandati i këtyre dy anëtarëve është 3 vjeçar.

Ndërsa, Kuvendi nuk e ka votuar Projekt-rezolutën nga interpelanca me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati për çështjen: “Rishikimi i buxhetit të Republikës së Kosovës dhe rritja e pagave në sektorin publik”.

Kjo projekt-rezolutë e propozuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk mori mbështetjen e 58 ligjvënësve të Kosovës që ishin nga mazhoranca, derisa 14 votuan pro, e 4 ishin abstenime.

E shqyrtimi i propozim-rezolutës për shpenzimet e parasë publike për dy vite mandat të Qeverisë së Republikës së Kosovës, e propozuar nga 8 deputetë të Kuvendit të Kosovës është shtyrë për sesionin vjeshtor të Kuvendit të Kosovës.

Aktualisht, në seancë po zhvillohet procesi i përzgjedhjes së dy anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.

/TV Malisheva

Share.