Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës deklaroi se përkundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pensionet kontributdhënëse me votimin e djeshëm për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Skemat Sociale të financuara nga shteti vazhdoi diskriminimi me 15 vjetëshin.
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj në një konferencë për medie tha sot se ligjet e ish-Jugosllavisë po interpretohen sipas dëshirës.
“Përkundër vendimi të Gjykatës Kushtetuese për pensionet kontribut-dhënëse vazhdoi diskriminimi me 15 vjetëshin prapë, ligjet e ish-Jugosllavisë interpretohen sipas dëshirës pra 15 vjetëshi është ligj i ish-jugosllavisë dhe atë interpretohet 15 vjetëshi dhe i njëjti ligj parasheh që në rast se ju nuk i plotësoni 15 vite deri në ditën kur dilni në pension keni të drejtën e blerjes deri në 3 vjet të stazhit, ky nuk implementohet me anë të këtij ligji. Me këtë ligj, Kosova është vendi i vetëm në botë, i cili nuk i njeh avancimet profesionale dhe shkencore që i ka lëshuar vetë shteti jonë gjatë viteve 89’-99’ këto nuk njihen për pensionim, ndërsa njihen për punësim…O zot vetëdijësoj kosovarët kundër kësaj mendësie totalitare, anti-perëndimore dhe anti-qytetare kosovare”, tha ai.
Dreshaj shpalosi edhe amendamentet që i propozuar për Ligjin për Skemat Pensionale, por theksoi se ato nuk u aprovuan.
“Neve dje kemi propozuar që paragrafi 2.2 i nenit 8/A për pensionin parcial kontributdhënës të largohet arsyeja shumica e dëbuarve nga puna nuk kanë dëshmi lidhur me largimin nga puna, pa janë larguar pa vendime këta nuk mund të sjellin dëshmi se janë larguar dhunshëm. Kemi propozuar amendamentin e dytë për t’u ndërruar paragrafi 2.4 i nënti 8A, pra të aplikohet parimi i proporcionalitetit sipas viteve kontribut paguese deri në vitin 2002, vitin 2002….dhe amendamenti i tretë që është propozuar ka qenë që në paragrafin 4 ku lartësia pensionale për pensionimin parcial për secilin nivel të përcaktohet sipas formulës duke startuar nga 20% dhe të shtohet përqindja për 1%, fatkeqësisht edhe kjo nuk është aprovuar”, tha ai.
Tutje, gjatë kësaj konference Dreshaj shprehu brengën e kësaj partie për situatën siç e konsideroi ajo jo të mirë politike në vend.
“Realisht si Aleancë jemi shumë të brengosur për shkak se jemi në një situatë jo të mirë politike në vend dhe me të drejtë mendoj se bëjmë një pyetje se çka duhet t’i ndodhë këtij vendi që të vetëdijesohet (2) derisa në skemën ndërkombëtare nuk kemi asnjë njohje, u prishëm me SHBA dhe BE, na i vendosën sanksionet për herë të parë nga viti 99 dhe u përjashtuam nga Defender. Në skemën vendore dështuam reformën në reformën ekonomike, arsimore dhe shëndetësorë“, u shpreh Dreshaj.
Në seancë të jashtëzakonshme, Kuvendi i Kosovës ka miratuar dje në lexim të parë dhe të dytë po ashtu plotësim-ndryshimin e Ligjit për Skemat pensionale të financuara nga shteti.
/TV Malisheva