Se a do të ndryshojë qasja e BE-së ndaj Kosovës, pas letrës së politikanëve ndërkombëtarë drejt Shteteve të Bashkuara e Bashkimit Evropian, Isa Mustafa shprehet skeptik.
Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa thekson se Qeveria Kurti duhet të ndryshojë qasjen ndaj vetëvetes, pastaj të pret që një gjë e tillë të ndodhë nga aleatët ndërkombëtarë.
“Kosova do duhej ta ndryshojë qasjen ndaj vetëvetes për të pritur që të tjerët ta ndryshojnë qasjen ndaj saj. Ky lidership ka shkaktuar që gabimet e tij, shpërfillja e partnerëve ndërkombëtar dhe popullizmi të vërehen dhe dënohen më shumë sesa politikat nxitëse të konfliktit, të destabilitetit e të destruksionit politik të Serbisë. Serbia meriton të sanksionohet”, thotë Mustafa.
Sipas Mustafës, Kosovës i duhet kohë e gjatë që ta rifitojë besimin e humbur nga SHBA-të e BE-ja.
Mustafa shton se e ardhmja e Kosovës do të jetë më e keqe se sa para ardhjes në pushtet të kryeministrit Kurti dhe presidentes Osmani.
“Por, frikësohem se Kosovës do t’i nevojitet kohë e gjatë për ta fituar besimin e SHBA-së dhe BE-së. Kjo qeveri do të pranojë dhe plotësojë të gjitha kërkesat amerikane dhe evropiane ndërkaq Kosova do të jetë më keq sesa para ardhjes në pushtet të Albinit dhe Vjosës”, thotë Mustafa.
Mustafa e quan Kurtin kryeministër me politikë populliste që sipas tij, ky i fundit do të “mbushet mend” se votoat nuk e qojnë përpara.
“Megjithatë do të marrim mend të gjithë se politikat populliste sigurojnë vota në situata të krizës së vetëdijes shtetërore por se ato nuk na qojnë përpara”, tha Mustafa.
/TV Malisheva