Në Nju Jork, epiqendra e luftës kundër koronavirusit në Shtetet e Bashkuara, statistikat tregojnë se ndikimi i virusit po bie. Njoftimin e bëri kryebashkiaku Bill de Blasio. Ndërkohë guvernatori Andrew Cuomo tha se virusi kishte hyrë në Nju Jork nga Evropa, jo nga Kina duke cituar një studim të fundit.
Kryebashkiaku i Nju Jorkut, Bill de Blasio thotë se statistikat e ditëve të fundit, tregojnë se ndikimi i koronavirusit po zbehet.
“Jam i lumtur të them se kemi lajme të mira. Treguesit tanë po shkojnë në drejtimin e duhur, po ulen”, tha kryetari i Bashkisë, de Blasio.
Lajmi vjen në një kohë kur zyrtarët po planifikojnë një përpjekje masive për të intervistuar mijëra vetë që janë diagnostikuar së fundmi për të identifikuar vendet ku ata kanë qenë dhe njerëzit që kanë takuar.
“Do të jetë një përpjekje masive. Bëhet fjalë për mijëra individë. Nuk do të ketë vetëm një mënyrë për ta realizuar. Por nga ana tjetër, njujorkezët duhet të vazhdojnë të rrinë brenda sa më shunë të jetë e mundur”, tha Dr. Oxiris Barbot, komisionere e Shëndetësisë së Nju Jorkut.
Është një praktikë e njohur në shëndetin publik që përfshin testimin, identifikimin dhe izolimin e të prekurve dhe kjo mund të ndihmojë më tej në vendosjen nën kontroll të epidemisë.
Edhe guvernatori i Nju Jorkut, Andrew Cuomo tha se ka lajme të mira përsa i përket numrit të rasteve, duke përmendur rënien e numrit të personave të shtruar në spital.
“Të gjitha të dhënat të lënë të kuptosh se kurba po ulet. Jemi drejt rënies së numrit. Numri i të shtruarve në spital ka rënë”, tha ai.
Duke folur për numrin e të vdekurve, 422 të premten, ai tha se vërtet kjo shifër është më e ulët, por vazhdon të jetë një numër i lartë.
Ndërkohë ai citoi studime sipas së cilave, koronavirusi hyri në Nju Jork nga Evropa, jo Kina dhe se ndalimi i udhëtimit nga ana e Presidentit Donald Trump, u vendos shumë vonë për të frenuar përhapjen e virusit.
Zoti Cuomo tha se beson që origjina ka shumë gjasa të ketë qenë nga Italia.
“Kur ne filluam të marrim masat, virusi ishte zhvendosur. Një studiues thotë se duke pasur parasysh se sa avionë vinin nga Italia në Nju Jork, ishte njëlloj si të shohësh një katastrofë të lëvizë ngadalë. Ishin fluturime që vinin nga Italia dhe Evropa në Janar dhe Shkurt, E mbyllëm hyrjen nga Kina, që ishte e drejtë, por lamë derën e pasme hapur”, tha ai.
Guvernatori vuri në dukje se Presidenti Donald Trump e kishte urdhëruar ndalimin e udhëtimit nga Kina më 2 shkurt, mbi një muaj pasi doli lajmi për shpërthimin e epidemisë në Kinë dhe vendosi kufizimin e udhëtimit nga Evropa një muaj më pas, kur sipas tij, virusi ishte përhapur gjerësisht në Shtetet e Bashkuara./ Tv Malisheva