Shaqir Uka nga intensiva në QKUK ka bërë të ditur se njëri nga të plagosurit në incidentin në Runik të Skenderajt është në gjendje më të rëndë nga lëndimi që ka marrë nga arma e zjarrit në regjionin e gjurit dhe për këtë arsye gjatë një intervenimi kirurgjik është dashur t’i amputohet pjesa e nëngjurit të këmbës së djathtë.

Uka ka thënë se i plagosuri është duke marrë tretmanin e mëtutjeshëm mjekësor pasi ka humbur shumë gjak.

“Lëndimi me armë zjarri që ka ndodhur në Skenderaj, tre janë sjellur në QKUK. Njëri prej tyre ka qenë në gjendje më të rëndë me një lëndim me armë zjarri në regjionin e nëngjurit, në këmbën e djathtë. Ka qenë lëndim shumë i madh i kockave, i muskujve, i enëve të gjakut. Dhe kjo ka qenë arsyetim për intervenim kirugjik . Në bazë të ekzaminimit që është bërë dhe gjatë intervenimit kirugjik është parë që pjesa e nëngjurit të këmbës të djathtë, është dashur të amputohet si shkak i dëmtimeve të paripaurueshme”, ka thënë Uka.

Ndërsa për dy të plagosurit tjerë, Uka ka thënë se janë duke pranuar tretmane mjekësore por se lëndimet e tyre janë më pak serioze.

“Tash jemi në fazën kur tentojmë ta bëjmë stabilizimin e gjendjes së përgjithshme të tij sepse pacienti ka humbur shumë gjak. Për të tjerët, si duket lëndimet janë më pak serioze. Kanë vazhduar të pranojnë tretmane mjekësore”, ka vijuar ai.

Ndryshe, të enjten, Policia e Kosovës ka njoftuar se një person ka mbetur i vrarë në një kafiteri në fshatin Runik të Skenderajt dhe tre të tjerë janë plagosur nga të shtënat me armë zjarri pas mesnatës të së mërkurës.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.

Siç ka njoftuar Zahiti, nga arma e zjarrit lëndime kanë pësuar katër persona, njëri nga të lënduarit viktima N. L., 39 vjeçar, ka ndërruar jetë në vendngjarje, ndërsa, tre persona të tjerë të lënduar ( po ashtu nga arma e zjarrit ) janë dërguar për tretman mjekësor në QKUK.

Nga hetimet  e para, dyshohet  se dy persona të dyshuar e të maskuar kanë hyrë brenda në kafiteri  kanë shtënë  me armë dhe  janë larguar në drejtim të panjohur.

Rasti vazhdon të jetë nën hetim.

/TV Malisheva

Share.