Presidenti i Ukrainës, Volodymir Zelensky ka bërë të ditur, të premten, se janë shkarkuar të gjithë oficerët rekrutues të ushtarëve në vend, për shkak të dyshimeve për korrupsion.

Ky vendim u mor pas takimit që ai pati me Këshillin Kombëtar për Mbrojtje dhe Siguri, ku temë kryesore ishte inspektimi i “komisarëve ushtarakë”.

Është gjetur se shumica e këtyre të fundit kanë qenë të përfshirë në raste të rënda të korrupsionit, prej fillimit të luftës e këndej.

Autoritetet i kanë iniciuar 112 procedura penale ndaj zyrtarëve që kanë rekrutuar ushtarë nëpër gjithë Ukrainën, me dyshime se gjatë përzgjedhjes së tyre janë bërë mashtrime të shumta, duke u mundësuar shumë prej tyre t’i shmangen shërbimit ushtarak, në këmbim të parave ose përfitimeve tjera.

“Disa morën kesh, e disa kriptovaluta. Kjo është e pafalshme”, ka thënë Zelensky. “Ne po i shkarkojmë të gjithë komisarët ushtarakë rajonalë. Ky sistem duhet të udhëhiqet nga njerëz që e dinë saktësisht se çfarë është lufta dhe që e dinë se cinizmi dhe ryshfeti në kohë luftë përbëjnë tradhti”, ka shtuar ai.

Skandali me rekrutuesit e ushtarëve është ndër më të mëdhenjtë që ka goditur Ukrainën, prejse ky vend është në luftë me Rusinë, e cila e pushtoi atë më 24 shkurt të vitit të kaluar.

/TV Malisheva

Share.