Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit te Kosovës njofton se gjatë hulumtimit në terren në kuadër të aktivitetve për ridefinimin e zonave strikte të Parkut Kombëtar “Mali Sharr” këto ditë është gjetur në rezervatin strikt të Shutmanit një lloj i rrallë insekti, më parë i paregjistruar në Kosovë.
“Bëhet fjalë për llojin Drusus krpachi i përshkruar si lloj i ri në vitin 2011 dhe deri më tani i njohur vetëm nga Maqedonia Veriore”, njofton AMMK.
Siç njofton agjencia, kjo gjetje shënon regjistrimin e parë të këtij lloji të rrallë e të rrezikuar në Kosovë.
“Gjatë këtyre hulumtimeve në terren është konfirmuar sërish prania e rrallë e insektit endemik të Sharrit, Drusus sharrensis i cili është zbuluar para disa vitesh po nga Parku Kombëtar “Mali Sharr”. Që të dyja llojet i takojnë një grupi insektesh jashtëzakonisht të ndjeshme nga ndotja dhe degradimi i mjedisit”, thuhet në njoftim.
/TV Malisheva