T’jesh
Atëbotë kur n’rrugë qyteti
Një hap femre më s’gjëmon…
Do të ecë përshpërimë vaji
E një mashkulli që më s’rron!
Kur në shpirt t’më troket vdekja
Ardhjen tënde do e pres…
Do bërtas n’tënden buzëqeshje
Tash sa linda, nuk po vdes!
Të t’hedhë, të t’thyej, asnjëherë!
Edhe fund gote po të mbetësh…
Vapë mbi vapë po t’më sjell bota
Në fund gote je pikë që s’tretësh!
Në qofsh ti në çdo ëndërr nate
Do t’mallkoj ditët që vijnë…
T’verbër qofshin në mijëra jetë
Ata sy që n’gjumë nuk rrijnë!
Prapë në ëndërr kur ti të jesh
Do t’shaj ditët që aguan…
T’lotëve qofshin tej përherë
Ata sy që gjumin s’duan!
@flamur.foniqi
Poezi Nënës
matanë botës e imja nënë
dy germa kap e thur për ty
n’rrëmbesh loti matanë dhembjes
e me t’ardhë mindil ndër sy
e di që ulur n’shkamb m’je
orët e ardhjes tu m’vargnu
nji djepi që s’qanë as qesh
ninullë lotësh tuj i knu’…
sa larg t’shkon shikimi nanë
n’pafundësi mbi oqean…
za përkdheljesh bëhet erë
këngë e trishtë për djalë azgan
kam nis letër n’pëllumba t’bardhë
qiejve t’botës vjen vërdallë
n’krah ia lash puthjen e ngrohtë
t’vi ta hedh, ta lë në ballë…
ti merr një kokërr misri n’gishta
pëllumbi vjen si për çudi…
ndjelle ambël si harabelin
njashtu si n’vegjëli..
at’ letër hapur kur ta kesh…
puth’ kryefjalën n’rresht kam lanë
n’mijëra jetë e gjer n’amshim
s’quhet djalë një trup pa nanë!
ktu ku rrojmë pa lindur kurrë
një copë bukë ngrënë e kam
mos mbaj merak erën e ftohtë
trash, shtrënguar veshur jam!
ti m’le në prehër t’vi ngadalë
ndër kokën tënde si strehim
se ktu kur bie shi rrëmbyer
n’çadra rrijnë “fëmijë jetim”
n’sy të moshës që s’të rrëzon
merr ca penj të fortë si hekur
në vend të rrobës pak të shqyer
shpirtin tim ke për ta qepur…
ti bëhu shkëmb që s’ndien erë
në leckë të shpirtit me gjilpënë
m’shkruaj n’tokë rri një parajsë
puthe n’ballë e quajnë NËNË!
flamur.foniqi
Shiu i dashurisë
Çdo pikë shiu mbi kupolë…
Do m’ftoh trupin që e deshe
Do më ngroh një diell pastaj
Kujtimi i puthjeve si rrëbeshe
N’çdo grimcë fryme mbi qytet
Në ca fjalë që bashkë u thanë
N’frymë e n’fjalë do vi vdekja
Nëse s’hidhen nga buzë pranë…
Kur re mortore do m’vardisen
Mbi xhaketë hedhin trishtim
Tre të vdekur sillen qytetit
Unë, umbrella dhe vaji im…
Dhe n’botën tënde do bjerë shi…
Një pikë e tij pas do të vij…
Do jem unë i shkrirë në lot
N’xhaketën tënde do të rri…
Pas flokësh lagur do të jem…
Do t’rrjedh qetë në qafë, në fyt
Mijëra puthje do të ndjesh…
Aty do jetë dashnori yt…
Kur ta kuptosh ardhjen time…
Do të qash në zë, ëmbëlsisht
N’kupolë do rrahin pika shiu
Nën to ca puthje pafundësisht
Gjërsa shiu ndaljen t’gjejë…
Do rrijmë t’qullur n’çadrën tonë
Tre të çmendur ecin qytetit…
Unë dhe ti, dashnia jonë!
flamur.foniqi
Përshperitje në mesnatë
Të vetmen ikje që ja doja….
Që ikja nga shtëpia natën vonë
N’djersë mbulohej vasha ime
Dështim s’i falte takimit tonë…
Kur më zinte malli i saj…
Me guralecë i falja një t’lehtë tik-tak
N’dritarën ku shpesh m’vinte fjala
Po vi i dashur, më prit dhe pak…
Stisesha unë pranë dritarës…
Pranë shikimit që thjesht ma falë
Vallë do mund të rri në këmbë!?
Pranë madhështisë që do të dalë
Një ditë hamendesha kokëvarur
I thash qiejt qënë t’ngrysur sot…
Do vi i dashur marak t’mos kesh
Më mirë t’bjerë shi, se t’rrjedhin lot!
E atë natë shiut që prente…
Hovin ja vriste me t’ëmblin zë
Mbi kokë i vinin mijëra umbrella
Por në një mijë, pëlqente një!
Tinëz ikte n’çdo natë të motit…
N’fustan të zi për trupi kapur
E kur m’kaplonte etja e pritjes
Krua më bëhej gërsheti i lagur…
Kur të ftohtit bëhej mesnatë…
Tinëz asaj ia skuqte faqet
Dukej si diell që lind papritur…
N’mengjesin tim të vij të shfaqet
Ishte hamendur vasha ime..
E hetova kur pranë i rrija…
Thash e dashur çfarë mendon?
Tha si t’ikë nesër nga shtëpia!?
@flamur.foniqi
Në hijen e saj
O natë që vjen ngadalë si e heshtur
Ma zhduk një hije që m’vjen parreshtur
N’dhomën e vockël ku gjë më s’ka vlerë
Një hije m’vjen afër dhe ikën nëper derë
E ndjek si i çmendur rrugëve,djersitur
Erresirë pafund jashtë duke më pritur
Çfarë rron në terr,vallëzon e këndon
Një magji me flokë pa mua jetë çon
Ulem rrugëve,kërkoj ndjenja si lypsar
Zemër leckosur dhe një shpirt të çarë
Ditën zë të ik,nga rruga të kem shkuar
Si një lypsar i mjerë,por i dashuruar…
E ai mëngjes që natën vjen grushton
Një hije ma sjellë ,pafund më gëzon
Më rrugët flas,sa shpesh u jam qarë
I pyes një hije vallë mos e kanë parë
O hije që endesh në dhomë,më flit
Nëse do kem fjetur,eja dhe më vrit
Një jetë pa ty s’më duhet,beso…!
S’do jesh e ndjerë,por e ndier kudo!
@flamur.foniqi

Share.