Forcat speciale të Shqipërisë kanë ekzekutuar mëngjesin e sotëm (e shtunë) shtetasin Ramiz Muçollari, i cili i armatosur u mbyll në banesën në fshatin Qesarakë të Korçës, ku mbrëmjen e kaluar tentoi të vriste gruan dhe djalin e tij.

62-vjeçari hap zjarr ndaj policisë që mbërriti në vendngjarje. Përgjatë natës, e gjithë zona në fshatin Qesarakë u izolua. Me ardhjen e forcave të RENEA-s, autori vazhdoi të hapte zjarr, duke qëlluar me një mitraloz të lehtë.

Top Channel raporton se këtë mëngjes Forcat Speciale Renea hynë deri në katin e dytë të banesës së Ramiz Muçollarit, i cili ishte ngjitur në papafingon e banesës. Pas më shumë se një orë shkëmbime zjarri, 62-vjeçari është ekzekutuar.

Mbrëmjen e kaluar, autori ka tentuar të vrasë gruan dhe djalin e tij. Ai ka qëlluar me thikë bashkëshorten dhe ka tentuar të mbysë djalin.

Pëllumbesha Muçllari dhe djali Kamber Muçllari, aktualisht ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Autori vuante nga probleme të shëndetit mendor. Dje, ai ka qenë për vizitë në spitalin psikiatrik, por nuk është shtruar në spital dhe pasi është kthyer në shtëpi, ka nisur konfliktin me familjarët.

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla shprehu mirënjohjen ndaj forcave RENEA dhe atyre të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë për kryerjen e detyrës me përgjegjësi të lartë gjatë gjithë natës së mbrëmshme deri sot në mëngjes edhe në kushtet e kërcënimit për jetën.

“Thirrjeve të Policisë së Shtetit, shtetasi që kërkohej të ndalohej, ju kundërvu me përdorimin e armës ndaj policisë. Në këto rrethana përcaktimet ligjore janë të qarta dhe Policia e Shtetit zbatoi ligjin”, u shpreh Balla.

Ministri siguroi publikun se çrrënjosja e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje është një detyrë kryesore për Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me institucionet e tjera ligjzbatuese dhe me komunitetin në çdo cep të territorit.

“Çdo grua, çdo vajzë duhet të ketë besimin se telefonata e saj tek Policia është vendimi i duhur që sjell çlirimin nga makthi dhe fitoren e ligjit mbi padrejtësinë dhe dhunën”, tha Balla.

/TV Malisheva

Share.