Si edhe në shumë raste të tjera të shumta, ne si shoqëri në vend se të mirremi me shkaqet, mirremi me pasojat, ndërsa duke u marrë me pasojat vetëm sa rritet dështimi dhe konfliktualiteti në shoqëri. Kështu ka ndodhë edhe me Dokufestin e sivjemë.

Edhe pse i financuar rëndshëm nga Ministria e Kulturës dhe nga komuna e Prizrenit (100.000 +100.000 euro) me përmbajtjet e veta që në hapje, “Dokufesti” ka zhgënyer shumë qytetarë. Ka pasur shumë reagime në rrjete sociale. Por nuk di të ketë pasur ndonjë vlerësim nga institucionet, qoftë qendrore qoftë komunale, gjë që mbase do të mund të sqaronte të pakënaqurit.

Në këtë mes e pakuptueshme ka qenë dhe mbetet sidomos heshtja e Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës. (Sot kam qenë maleve e nuk e di a ka pasur ndonjë deklarim.)

Meqë kontigjenti i reaguesve që nga fillimi është identifikuar si i besimtarëve muslimanë, BIK do të duhej të shfaqte qëndrim zyrtar. Në atë qëndrim mbase do të duhej të sqarohej se nuk është korrekte dhe as e lejueshme që protesta të lidhet me kohën e namazit dhe me objektin e xhamisë.

Në mungesë të qëndrimit zyrtar të BIK-ut, i cili do të qetësonte anëtarësinë e saj, u ndërmor iniciativë joformale në Prizren, me inskenim të terminit e të vendit, për të prekur ndjenja fetare. Iniciativat e tilla më të shumtën janë me ngarkesa të larta emocionale dhe u ekspozohen lehtësisht manipulimeve. Kjo ndodhi saktësisht në tubimin e sotëm në Prizren.

Provokimet e gazetarit ndaj pjesëmarrësve patën sukses, sepse ai arriti të nxitë disa pjesëmarrës që të bëjnë veprime të dhunshme ndaj tij. Veprimet e tilla të dhunshme janë të palejueshme dhe të dënueshme. Por sjellja e tij ishte më shumë e aktivistit e fare pak e gazetarit. Ndërsa indiferenca e policëve ishte e pakuptueshme.

Minimalisht ata do të duhej që personin ta izolonin nga turma e ashtu edhe ta mbronin.

Tash kemi një varg pasojash, që mezi numërohen: një festival të famshëm që nga një pjesë e qytetarëve tashmë është inkriminuar, qytetarë të frustruar, medie që raportojnë me emocione të larta, institucione qendrore, komunale e fetare frikacakë, që nuk kanë kurajë të ballafaqohen me probleme konkrete, madje edhe kur në krijimin e tyre participojnë vetë.

Në fakt, edhe ky incident vërteton që shoqëria jonë është në krizë të tmerrshme vlerash, shoqëri konfliktuale, pa përfaqësim adekuat të grupeve të caktuara, në këtë rast pa përfaqësim adekuat të besimtarëve muslimanë nga BIK dhe pa efikasitet të organeve të rendit. E tëra është e hidhur dhe për keqardhje. E tëra është në dëm të shoqërisë sonë.

Në kohën kur Kosova është nën sanksionet e Bashkimit Evropian, mesazhi nga ky incident u shkon në favor atyre që kërkojnë presione e sanksione edhe më të forta kundër Kosovës. (Milazim Krasniqi)

/TV Malisheva

Share.