Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) ka bërë të ditur se sot nga Gjykata Themelore në Prishtinë ka pranuar Aktvendimin lidhur me padinë që ka të bëjë me kundërshtimin e ligjshmërisë së mbledhjes së Kuvendit të Komunës së Prishtinës, të datës 27.06.2023, si dhe të vendimeve të nxjerra nga kjo mbledhje.

Sipas MAPL-së, ky aktvendim ka të bëjë vetëm me masën e sigurisë për ndalimin e zbatimit vendimeve të nxjerra nga kjo mbledhje, dhe jo për çështjen kryesore të kontestuar më padi nga MAPL, e që është emërimi i Pëllumb Bajçinovcit në krye të Asamblesë Komunale në kryeqytet.

“Lidhur me lajmin e publikuar sot në disa medie elektronike se: ‘Qeveria humb betejën në gjyq kundër pushtetit të Përparim Ramës’, MAPL sqaron se, sot më datë, 21.08.2023, nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, kemi pranuar Aktvendimin lidhur me Padinë e MAPL-së, që ka të bëjë me kundërshtimin e ligjshmërisë së mbledhjes së Kuvendit të Komunës së Prishtinës, të datës 27.06.2023, si dhe të vendimeve të nxjerra nga kjo mbledhje. Aktvendimi i gjykatës në fjalë ka të bëjë vetëm më masën e sigurisë për ndalimin e zbatimit vendimeve të nxjerra nga kjo mbledhje, dhe jo për çështjen kryesore të kontestuar më padi nga MAPL”, thonë nga kjo ministri.

Sipas MAPL-së, “ky Aktvendim nuk paragjykon epilogun përfundimtar të këtij Konflikti Administrativ, prandaj nuk mund të konstatohet se kemi ligjshmëri të mbledhjes së Kuvendit të Komunës së Prishtinës, të datës 27.06.2023, si dhe të vendimeve të nxjerra nga kjo mbledhje, deri sa nuk kemi Vendim përfundimtar nga gjykata kompetente.”

Share.