Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka thënë se nuk janë informuar nga ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci për ndryshim vendimi për pajisjen me tekstet shkollore për nxënësit.

Ibrahimi tha se ministrja Nagavci nuk i ka konsultuar drejtorët komunalë të Arsimit.

Ai bëri të ditur se takimin lidhur me sfidat e fillimit të vitit shkollor 2022/23 do ta mbajnë të mërkurën, ku tha se presin që të jetë edhe ministrja e Arsimit dhe që të diskutojnë lidhur me paralajmërimet e sotme.

“Nuk kemi qenë të involuar e as të informuar për këtë nismë. Ministrja Nagavci Nagavci nuk i ka informuar drejtorët komunalë për vendimin e ri për tekstet shkollore. Mbetet të shihet se si është menduar të realizohet kjo. Pasnesër kemi takim me drejtorët komunalë dhe të Kolegjiumit lidhur me sfidat e fillimit të vitit të ri shkollor dhe aty është e ftuar ministrja Nagavci”, u shpreh ai.

Ndryshe, e para e MAShTI-t, Arbërie Nagavci njoftoi sot se librat shkollorë do të blihen nga prindërit dhe se ministria do t’i transferojë paratë. Kjo nxiti reagime, sidomos nga opozita, të cilët kritikuan se mbi 300 mijë familje do të obligohen t’i blejnë librat vetë. Ndërsa nga shtëpia botuese “Dukagjini” deklaruan se kanë ofertuar te Ministria e Arsimit më lirë se vitin e kaluar.

/TV Malisheva

Share.