Propozimi i Ministrisë së Arsimit që prindërit t’i blejnë tekstet shkollore, me mjete të financuara nga shteti, është shembull i keq menaxhimit në arsim, vlerësojnë drejtorët komunal të arsimit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës. Sipas tyre, një vendim i tillë do të prodhonte vonesa në fillimin e mësimit, humbje të orëve si dhe të parasë së shtetit.

Në një konferencë për media, drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Besianë Musmurati, tha se është e domosdoshme që MASHTI të sigurojë sa më parë tekstet shkollore në mënyrë që mësimi të fillojë në kohë.

“Çdo ditë e më shumë po shohim se Qeveria dhe Ministria e Arsimit kanë ngecur dhe janë të paaftë të çojnë përpara çfarëdo lloj politike arsimore. Propozimi i ri i Ministrisë së Arsimit për rimbursimin e prindërve për blerjen e librave është shembulli i fundit dhe më i freskët i keq menaxhimit në arsim, ashtu si edhe në sektorët tjerë. Prindërit gjithandej nëpër Kosovë janë tejet të shqetësuar me situatën e re e cila pritet të krijohet, po shihet se shtatori i dytë nën qeverisjen Kurti po i gjene nxënësit me probleme për të nisur vitin shkollor”, tha Musmurati.

Musmurati tha se mbi 300 mijë familje kosovare do të detyrohen t’i blejnë librat për fëmijët e tyre, të pasigurt nëse ndonjëherë do t’u rimbursohen mjetet financiare.

“Në vend se Qeveria t’a zvogëlojë barrën financiare të shkollimit të fëmijëve prindërve kosovarë, ajo po kontribuon që të dëmtohen edhe më shumë financiarisht edhe prindërit, po edhe vetë buxheti i shtetit. E pasojat e kësaj do të jenë vendimi i ministres Nagavci do të prodhojë vonesa dhe mësimi do të fillojë pa tekste shkollore, prindërit nuk do të dinë se cilat libra duhet të blihen për fëmijët e tyre. Ky vendim i Qeverisë Kurti do të prodhojë humbje efektive të mësimit, pra, do të jetë shtatori i dytë i Qeverisë Kurti që do të ketë humbje masive të orëve për shkak të keqmenaxhimit nga Ministria Arsimit”, vijoi Musmurati.

Ajo fajësoi Ministrinë e Arsimit për të gjitha vonesat që mund të shkaktohen në fillimin e mësimit me 1 shtator.

“Proklamimi se po behet kjo politike e re për të kursyer buxhetin e vendit nuk qëndron. Rrjedhimisht, Ministrja Nagavci ka anuluar një proces kinse për të kursyer buxhetin, por e ka zëvendësuar atë me një proces që kushton shumëfish më shumë”, shtoi Musmurati.

Musmurati tha se libri i abetares, të cilin me shumicë Ministria e Arismit e ka blerë rreth 7 euro vitin e kaluar, sipas saj, me pakicë prindërit do ta blejnë nëpër librari me 11 euro.

“Me një kalkulim bazik, kjo do të thotë që në mesatare, mbi 20% më shtrenjtë do të paguajnë prindërit, rrjedhimisht, me një përqindje të tillë do të dëmtohet buxheti i shtetit. Pra, do të ketë vonesa, humbje të mësimit dhe rritje të çmimeve”, tha Musmurati.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, në një konferencë për media të hënën ka deklaruar se po e shqyrton mundësinë që këtë vit librat për nxënësit t’i blejnë vetë prindërit, ndërsa mjetet financiare t’i transferojë ministria në xhirollogaritë e prindërve.

/TV Malisheva

Share.