Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeff Hovenier kanë nënshkruar marrëveshje mbi masat e sigurisë për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar. Me këtë marrëveshje, siç u tha, informacioni i kategorizuar do të ruhet dhe nuk do të zbulohet, përveç atyre që posedojnë certifikatë të sigurisë.
Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje, kryeministri Albin Kurti tha se koncepti i sigurisë kombëtare është udhërrëfyes i qeverisjes së përgjegjshme.
“Qeveria e ka për detyrë të sigurohet që qytetarët janë të mbrojtur, dhe një gjë të tillë e bën përmes veprimeve të mençura politike, ekonomike, diplomatike e ushtarake. Siguria kombëtare është e drejtë dhe nevojë. Ajo përkthehet në vullnetin dhe obligimin e qeverisë të merr vendime me të cilat garantohet pavarësia, sovraniteti dhe integriteti territorial të shtetit. Detyra shtetërore këto të cilat jo rrallë kërkojnë edhe ruajtjen e informacionit si konfidencial. Mbrojtja e atillë e informacionit parashihet me ligj dhe siguron mbrojtje përderisa interesi kombëtar e dikton një gjë të tillë. Prandaj sot së bashku me ambasadorin Hovenier u dakorduam që informacioni i kategorizuar si i tillë, do të ruhet ashtu siç parasheh legjislacioni nacional dhe nuk do të zbulohet përveç ndaj atyre që posedojnë certifikatë të sigurisë”, tha Kurti.
Kurti shtoi se kjo marrëveshje parasheh veprimet e të dy palëve në raport me informacionin e humbur dhe mënyrën e asgjësimit të informacionit të klasifikuar.
“Marrëveshja parasheh veprimet e të dy palëve në raport me informacionin e humbur, mënyrën e asgjësimit të informacionit të klasifikuar, e ndarjes së tij në raport me palët e autorizuara. Çdo qeveri e matur dhe e përgjegjshme, kupton që çdo veprim i kundërt rezulton me ndëshkueshmëri, sepse bëhet fjalë për shkelje të ligjit. Zbulimi i informacionit është jetik për një shtet, qoftë ai i fushës së sigurisë, mbrojtjes, tregtisë, industrisë, teknologjisë apo punë të jashtme, ruhet dhe mbrohet përderisa një gjë të tillë përcakton ligji, mjeti që mbron interesat shtetëror e jo interesat individual apo preferencat personale”, shtoi shefi i ekzekutivit.
Edhe ambasadori Jeff Hovenier tha se kjo marrëveshje çon përpara aftësinë e Kosovës për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial, përmes shkëmbimit të informatave me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Jemi këtu për të shënuar një moment historik të rëndësishëm në marrëdhëniet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës. Si kryeministri Kurti, ashtu dhe unë e kemi nënshkruar këtë marrëveshje SHBA-Kosovë për masat e sigurisë për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar. Kjo marrëveshje krijon një bazë për ndarjen e informacionit të klasifikuar dhe në këtë botë të ndërlidhur të shekullit të 20-të aftësia e partnerëve për të ndarë informacionin shpejt dhe pa probleme është jetike për vendimmarrjen në kohë. Kjo është veçanërisht e vërtetë në fushat e sigurisë dhe mbrojtjes, dhe përmbyllja e kësaj marrëveshjeje është e rëndësishme jo vetëm për shkak të kulmit të këtij koordinimi dhe negociatave më shumë se dy vjeçare, por ajo përfaqëson edhe përkushtimin e fortë të Shteteve të Bashkuara për bashkëpunim të vazhdueshëm të sigurisë me Kosovën”, tha ai.
Më tej, diplomati amerikan u shpreh se të dyja vendet kanë marrë përsipër detyrimet për të mbrojtur informacionin e klasifikuar.
“Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, dy vendet tona kanë marrë përsipër detyrimet për të mbrojtur informacionin e klasifikuar të njëri-tjetrit, duke i hapur derën shkëmbimit të këtij informacioni. Kjo marrëveshje avancon aftësinë e Kosovës për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e saj territorial përmes shkëmbimit të informacionit me Shtetet e Bashkuara. Ne kemi qëndruar të patundur në përkushtimin tonë për sovranitetin e Kosovës dhe integritetin e saj territorial. Kjo marrëveshje është gjithashtu synimi ynë i përbashkët për zhvillimin e suksesshëm të forcës së sigurisë dhe forcës profesionale ndërvepruese të mbrojtjes territoriale multietnike të NATO-s dhe mbështet drejtpërdrejt synimin tonë të përbashkët për ta parë Kosovën të pavarur plotësisht në strukturat e sigurisë evropiane. Është një qasje e tërë e qeverisë që do të forcojë kundër-terrorizmin dhe bashkëpunimin rajonal midis dy vendeve tona”, shtoi Hovenier.
Ambasadori amerikan tha se kjo marrëveshje pasqyron përkushtimin ndaj qëllimeve dhe vlerave të përbashkëta, e po ashtu edhe të ardhmes së sigurt të të dyja vendeve.