Bashkatdhetarët mitrovicas të cilët po shijojnë ditët e fundit të pushimeve në vendlindjen e tyre, shprehen të kënaqur me ndryshimet në qytetin e Mitrovicës. Ata, gjatë një bashkëbisedimi për, deklaruan se për një kohë të shkurtër janë bërë ndryshime të mëdha, sidomos në sektorin e ndërtimit dhe infrastrukturës, ndërsa nuk e fshehin dëshirën e flakët që vitin e ardhshëm ta gjejnë Mitrovicën e bashkuar.
Bahtir Ademi, i cili ka ardhur për pushime me familjen e tij pesë anëtarëshe nga Franca, thotë se është bërë ndryshim i madh në Mitrovicë sa i përket ndërtimit.
Sipas tij, disa çmime të artikujve janë të larta për qytetarët e këtushëm, ndonëse shprehet se gjërat kanë ndryshuar për të mirë sa i përket standardit jetësor të vetë qytetarëve dhe nuk janë si më parë.
Ai pati vërejtje sa i përket pastërtisë në përgjithësi nëpër rrugët e qytetit, për çka tha se qytetarët duhet ta ngritin vetëdijen rreth kësaj çështje dhe të mos hedhin mbeturina e gjësende tjera vend e pavend.
Ademi vuri në pah dëshirën e madhe që vitin e ardhshëm ta gjejë Mitrovicën e bashkuar, në mënyrë që qytetarët shqiptarë të lëvizin lirë e pa probleme në pjesën veriore.
“Shumë mirë po kalojmë, pushimi po na shkon shpejt, por çka me bë, sikur të gjithëve… Sa i përket ndërtimit është bërë ndryshim i madh dhe nuk është si më herët… Ndoshta për këtu mund të them se është shtrenjtë, por edhe këtu nuk ishte shumë keq tash, është pak më mirë, kanë ndryshuar gjërat, disa çmime janë më shtrenjtë se atje ndoshta, por disa janë mirë… Pastërtia nuk ka qenë kurrë qysh duhet këtu, edhe tash nuk është bash mirë, po i shoh disa djem po mundohen, por vështirë me ia dalë, ishin edhe numër i vogël i punëtorëve… Bash këtu ku banoj unë, me hy pas banesave është katastrofë, tmerr… Më shumë është tek vetëdija qytetare, sepse i kam parë vetë duke hedhur qytetarët. Kjo nuk ndodhë atje, kështu s’mundesh me pa… Kisha dëshiruar vitin e ardhshëm kur të vij pjesën veriore me pa të lirë, me hy dhe me dalë pa probleme, sa për tjerat këtu gjithçka është në rregull”, ka thënë Ademi.
Edhe Bashkim Azemi, një mitrovicas tjetër me punë të përkohshme në Gjermani, ka përmendur bashkimin e qytetit si çështje kryesore që kishte dashur të shoh vitin e ardhshëm.
“Mirë po kalojmë, mirë… familja, vendi im… Që tre javë kam ardhur, do të qëndroj edhe një javë… Po ka ndryshim… shikoji këto ndërtesa, rrugët… Çmimet janë të larta, bile për Kosovë janë shumë të larta… Kisha dëshiruar me qenë shumë më mirë, politika të ndryshojë… Veriu të bashkohet, Mitrovica me qenë e jona, më shumë nuk kisha dashur, sepse për këtë kanë luftuar njerëzit, kemi derdhur gjak besa shumë”, theksoi Azemi.
Arsim Avdyli, mërgimtar poashtu nga Franca, tha se këtu tashmë gjithçka ka ndryshuar për të mirë, duke përfshirë ndërtimet gjithandej, por edhe gjendjen e përgjithshme ekonomike të qytetarëve në përgjithësi.
Ai përmendi dëshirën e tij për hapje të kufijve dhe lëvizje të lirë të të gjithë qytetarëve pa dallim, si dhe potencoi dëshirën për Mitrovicën një dhe të bashkuar.
“Shumë mirë po kalojmë, si në vendin tonë… Kanë ndryshuar të gjitha gjërat, kanë përparuar njerëzit, është ndërtuar në maksimum, shumë bukur… Sipas meje çmimet janë normale, sikur në krejt Evropën… Për qytetarët e këtushëm është pak më vështirë, por për neve mërgimtarëve është super… Kisha ndryshuar kufijtë me qenë të hapur, me qenë të gjithë të kënaqur, me pas jetë normale si krejt bota… Kisha pas dëshirë që herën tjetër kur vij, Mitrovica me qenë e bashkuar dhe një”, tha Avdyli.
Në anën tjetër, Valdete Idrizi, drejtoreshë për Kulturë, Rini dhe Sport në komunën e Mitrovicës, bëri të ditur se Komuna këtë vit, në kuadër të ‘Javës së diasporës’, ka organizuar për më shumë se një muaj aktivitete të ndryshme kulturore dhe sportive për mërgimtarët.
Ajo, përveç koncerteve dhe aktiviteteve sportive, ka përmendur edhe panaire, ekspozita, mbrëmje letrare e kampe rinore, siç tha ajo, si vazhdimësi e traditës së pritjes dinjitoze e me zemër për diasporën.
“Përveç javës së diasporës, sikurse javës së mërgatës që kemi pasur, që në fakt nuk ka qenë javë, por kanë qenë një muaj aktivitete, për nëntë ditë kemi pasur koncerte… Ka pasur zhanre të muzikës për të gjitha shijet dhe grupmoshat… valle tradicionale të grupit dhe folklorit, këngëve dhe valleve edhe nga qytetet tjera të cilat kanë performuar në shesh, përfshirë edhe komunitetet që jetojnë në Mitrovicë, kemi pasur panairet… Pas aktiviteteve kulturore, muzikë, këngë, valle, kemi pasur edhe aktivitetet sportive… Ne kemi pasur prioritet sivjet me i përkrahë edhe sportistët me aftësi të kufizuara, kështu që kemi pasur sporte me karroca në shesh, që ka qenë vërtetë diçka shumë e mirë me i pa dhe inkurajuse… Basketi ka qene kërkesa më e madhe, bile u formuan grupet e diasporës dhe luanin mes vete… Kemi dashur thjeshtë t’i promovojmë edhe shkrimtarët dhe veprimtarët tonë që jetojnë në diasporë, e pse jo me festu edhe suksesin e tyre… E mira e gjithë kësaj është se ka pasur frekuentim dhe interesim të madh të njerëzve, e besa edhe fjalë të mira”, sqaroi Idrizi.
Ajo tregoi se e veçanta e kësaj vere është se ka performuar një arbëreshe nga qyteti i Zarës së Kroacisë, ku ka qenë një koncert në hapësirën e muzeut të qytetit, e po ashtu edhe promovimi i disa librave të veprimtarit nga diaspora, Bajram Muharremi.
/TV Malisheva