Në komunat veriore të Kosovës mund të ketë shpejt zgjedhje të parakohshme.
Shpresë për këtë dha të hënën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Bled të Sllovenisë ku po merr pjesë në Forumin Strategjik të Bledit – BSF 2023.
Hapat, që i hapin rrugë mbajtjes së tyre, sipas janë marrë.
“Tash e dy muaj në komunat veriore të Kosovës nuk ka pasur ndonjë protestë apo incident të dhunshëm. Kemi ulur dy herë me nga 25 për qind praninë e Policisë së Kosovës në dhe përreth këtyre objekteve komunale”, është shprehur Kurti.
Dyshime ka Avni Arifi, ish-kryenegociator i Kosovës në bisedimet me Serbinë.
“Kosova me marrëveshjen e Bratislavës ka marrë obligim për zgjedhjet në Veri. Këtë Kosova nuk po e implementon apo po bëhet kinse po e implementon me do udhëzime administrative që konsiderohen shpesh si tallje me BE”, theksoi Arifi.
Andaj ky nuk pret që të hiqen masat e Unionit të vendosura ndaj Kosovës.
“Masat nuk do të tërhiqen, përkundrazi ka gjasa që të ashpërsohen. Shpallja e zgjedhjeve nuk ka ndodhe dhe mungesa e draftit të Asociacionit”, tregoi Arifi për Front Online.
BE i bën apel si Kosovës, ashtu dhe Serbisë që të marrin masa për de-përshkallëzim.
“BE-ja nënvizon deklaratën e Përfaqësuesit të Lartë në emër të BE-së të datës 3 qershor 2023, i cili i kërkoi Kosovës dhe Serbisë që të marrin masa për të de-përshkallëzuar dhe të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm i pakoordinuar. Kosova u angazhua për këto parime në Bratislavë në korrik 2023”, u shprehen nga BE Front Online .
Bashkimi Evropian pati këtë përgjigje kur u pyet nëse do t`i heq masat e vendosura ndaj Kosovës.
“Sa i përket masave, ne e kemi bërë mjaft të qartë qëndrimin tonë gjatë ditëve dhe javëve të fundit, dhe nuk ka asgjë të re që do të dëshironim të shtonim në këtë fazë”.
Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Arbnor Sadiku i sheh si të ndërlidhura sanksionet dhe zgjedhjet.
“Do duhej gjetur një rrugë politike për të shkuar në zgjedhje sa më shpejt në Veriun e Kosovës, e jo duke zvarritur punën përmes akteve nën ligjore. Masat janë vënë, por vështirë të hiqen për Kosovën së paku deri sa kryhen zgjedhjet lokale në Veriun e Kosovës”, u shpreh ai.
KQZ nuk ka treguar nëse janë gati për organizimin e zgjedhjeve në Veri.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka folur për Kosovën dhe Serbinë gjatë fjalimit të tij para ambasadorëve.
Ai ka kërkuar nga të dy palët angazhim për mbajtjen e zgjedhjeve në Veri, kthimin e serbëve në institucione, derisa ka përmendur edhe asociacionin.
/TV Malisheva