Ministrja e Punëve të Jashtme e Sllovenisë, Tanja Fajon, në margjina të Forumit Strategjik të Bledit, organizoi një mëngjes pune së bashku me ministren e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla- Schëartz, atë të Maqedonisë, Bujar Osmani, të Bosnjës dhe Hercegovinës, Elmedin Konakovic, të Kroacisë, Gordan Grliç Rаdman, zëvendësministren e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Megi Fino, si dhe përfaqësuesit special për Ballkanin Perëndimor të Sllovenisë, Azhej Frangesh, i Norvegjisë, Arne Sanes Bjornshtad, i Britanisë së Madhe, Lordi Stjuart Piç dhe i Austrisë, Johannes Ajgner.
Ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Bujar Osmani ka shkruar në Facebook, se në fokus të takimit ka qenë integrimi evropian i vendeve të rajonit si përcaktim strategjik dhe synim i politikës së jashtme.
“Krahas një kornize të qartë kohore për zgjerimin e ardhshëm të Bashkimit, koncepti i integrimit të përshpejtuar të rajonit para anëtarësimit do të sjellë parashikueshmëri, stabilitet më të madh dhe do të forcojë kredibilitetin e politikës së zgjerimit”, ka shkruar ai.
/TV Malisheva