Edon Zhegrova shkëlqeu këtë edicion te Baseli në Superligën e Zvicrës, duke zënë edhe një vend titullari në skuadrën e Marcel Koller.
Futbollisti i Kosovës, i huazuar te Baseli nga Genk, ende nuk e ka të sigurtë qëndrimin permanent te klubi i madh helvetik.
Madje, shumë media në Zvicër e Belgjikë kanë shkruar se futbollisti nga Kosova mund të rikthehet te Genk gjatë verës.
Në mes të tjerash, Zhegrova ka folur edhe për të ardhmen e tij te Baseli.
“Problemi ka qenë që Baseli e ka pasur opsionin për transferimin tim për 3.5 milionë euro deri më 31 mars, megjithatë shkaku i virusit, klubi ka pasur probleme financiare”, ka thënë Zhegrova në Klan Kosova.
“Por, ende nuk i dihet të ardhmes sime. Ka disa klube të mira të interesuara për mua. Por, tani për tani, unë jam vetëm duke punuar”, u shpreh futbollisti i Kosovës.
“Ende është gjithçka e hapur”, shtoi ai./ Tv Malisheva